Ballina Lajme nacionale Mjekët e larguar nga Kosova kanë një kusht për tu rikthyer

Mjekët e larguar nga Kosova kanë një kusht për tu rikthyer

22
SHPËRNDAJE

Mjekët s’kthehen në Kosovë pa ndryshim të situatës në vend.

Qe 10 vjet mjeku kosovar Milot Rama ka shkuar në shtetin gjerman, në të cilin ka gjetur punë në disa nga klinikat më prestigjioze.

Mënyra se si funksiononin gjërat në vend e kishin shtyrë që në moshën 25-vjeçare ta lëshonte Kosovën, pavarësisht dëshirës së madhe për të punuar këtu, shkruan gazeta “Zeri”.

Vit pas viti shohim numër të madh të punëtorëve shëndetësorë, të cilët lëshojnë Kosovën për të gjetur punë në shtete të tjera, kryesisht në Gjermani.

Duke u bazuar në gjendjen momentale në Kosovë, Rama ka thënë se askush nuk duhet të presë që stafi i kualifikuar mjekësor të qëndrojë në vend.

“Natyrisht mendoj se është përgjegjësi morale imja dhe e çdo mjeku të kontribuojë në vendin që e ka shkolluar e në shoqërinë që ka investuar në të. Mirëpo po e them prapë, me këtë sistem të çoroditur të vlerave në këto 20 vjetët e fundit askush nuk mund të presë që stafi i kualifikuar të mbetet në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se nëse do të ketë ndryshime në vend, atëherë edhe ai do të kthehej dhe do ta jepte kontributin e tij në Kosovë.

“Nëse ka indikator për ndryshim, patjetër. Populli i Kosovës votoi për ndryshim. Ta shohim si po zhvillohen gjërat. Për kandidatin për kryeministër kam mendim shumë pozitiv. Ai edhe sa ishte në opozitë mundonte të krijonte një komunitet funksional të kosovarëve në Berlin”, ka shtuar ai.

-----