Ballina Lajme nacionale Miliarda euro të Kosovës në tregjet botërore

Miliarda euro të Kosovës në tregjet botërore

19
SHPËRNDAJE

Miliarda euro po mbahen të ngrira në tregjet jashtë Kosovës.

Më shumë se 2.5 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të grumbulluara nga Trusti i Pensioneve dhe procesi i privatizimit, por paratë mbahen të ngrira në institucionet në tregjet e jashtme ndërkombëtare, si dhe në ato financiare në Kosovë.

Nga kjo shumë, mbi 1.8 miliard euro janë kursimeve të qytetarëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Përqindja më e madhe e këtyre mjeteve janë të investuara në tregjet e Gjermanisë, Japonisë, Anglisë, Francës dhe në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurse, vetëm nga Fondi i Mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, deri në fund muajit maj të këtij viti, Agjencia e Privatizimit ka arritur që të grumbullojë më shumë se 730 milionë euro, të cilat janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Nga Fondi i Mirëbesimit parashihet të kompensohen kredituesit potencialë të ndërmarrjeve shoqërore.

Kurse, në Buxhetin e Kosovës nga ky fond janë transferuar mbi 326 milionë euro, thuhet në një përgjigje nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë dhe gjetjen e mënyrave për lejimin e qarkullimit të tyre. Ata thonë se Kosova vazhdimisht kërkon donacione dhe investime të huaja, kurse vetë institucionet e Kosovës mbajnë të ngrira mjete në tregjet financiare ndërkombëtare.

-----