Deniz Undav është shndërruar në një nga emrat më të spikatur në tregun gjerman. Sulmuesi i Stuttgartit po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij dhe paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në Angli.
Arsenali tashmë ka nisur planifikimin ofensiv për sezonin e ardhshëm dhe profili i sulmuesit gjermano-turk përputhet me idenë e Mikel Artetës.
Deniz Undav po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Stuttgartin. Në moshën 29-vjeçare, ai kombinon përvojën, lëvizshmërinë dhe një aftësi të theksuar për t’u lidhur me lojën në zonat e brendshme.
Shifrat e tij konfirmojnë ndikimin: 16 gola dhe 11 asistime deri më tani këtë sezon. Në Bundesliga, ai ka shfaqur versionin e tij më vdekjeprurës, duke sulmuar zonën me vendosmëri. Ndërsa në Ligën e Evropës, është dalluar për anën e tij kreative, duke marrë pjesë aktive në ndërtimin e lojës.
Arsenali është klubi që ka dalë më i favorizuar në garën për transferimin e tij. Mikel Arteta vlerëson inteligjencën e tij taktike dhe aftësinë për t’u përshtatur në sisteme të ndryshme ofansive.
Në Londër besohet se marrëveshja mund të mbyllet për rreth 30 milionë euro, një shifër që përputhet me planifikimin buxhetor të klubit.
Kontrata e lojtarit zgjat deri në vitin 2027, por vera e ardhshme mund të jetë shansi i fundit për Stuttgartin për të përfituar një shumë të konsiderueshme nga transferimi i tij.
Klubi gjerman është i vetëdijshëm për vlerën aktuale të sulmuesit dhe nuk do ta lehtësojë largimin e tij pa një ofertë bindëse./Telegrafi/
