Ballina Lajme Bota/Rajoni Mianmar, ushtria forcon kontrollin, 20 të vrarë

Mianmar, ushtria forcon kontrollin, 20 të vrarë

15
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Në Mianmar, forcat e sigurisë vranë të hënën të paktën 20 protestues pro-demokracisë, tha një grup aktivistësh, ndërkohë që junta ushtarake vendosi ligjin ushtarak në disa pjesë të qytetit kryesor Rangun, duke u dhënë komandantëve kompetenca të gjera për të shtypur protestat.

Mbështetësit e udhëheqëses së zgjedhur, tashmë të arrestuar, Aung San Suu Kyi, dolën përsëri në rrugë megjithë vrasjen e dhjetëra protestuesve të dielën, që ishte dita më e përgjakshme që nga grushti ushtarak i shtetit i 1 shkurtit, i cili ka ndezur demonstrata masive në të gjithë vendin.

Të hënën pati marshime në qytetin e dytë më të madh, Mandalay, dhe në qytetet qendrore Myingyan dhe Aunglan, ku policia hapi zjarr, thanë dëshmitarët dhe media.

Njerëzit transportojnë një person të qëlluar me armë zjarri gjatë protestave.

“Një vajzë u qëllua në kokë ndërsa një djalë në fytyrë,” tha me telefon për Reuters një protestues 18-vjeçar në Myingyan. “Tani po qëndroj i fshehur”, tha ai.

Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) tha se të paktën 20 njerëz ishin vrarë të hënën nga të shtënat e forcave të sigurisë. “Myanmar Now” raportoi për protesta në të gjithë vendin, përfshirë rajonin Hlaingthaya të Rangunit, që ishte skenë trazirash dhe zjarrvëniesh një ditë më parë.

Një zëdhënës i juntës nuk iu përgjigj kërkesave për të komentuar dhe Reuters e kishte të pamundur të konfirmonte në mënyrë të pavarur të gjitha viktimat.

AAPP tha se 74 njerëz vdiqën të dielën, shumë prej tyre në demonstratat e zhvilluara në Hlaingthaya, një zonë fabrikash.

Gjithsej, 183 njerëz janë vrarë nga forcat e sigurisë në javët e protestave kundër grushtit të shtetit dhe numri i viktimave ka qenë në rritje drastike, tha grupi.

Në Uashington, Departamenti i Shtetit tha se dhuna e ushtrisë ndaj protestuesve është “e pamoralshme dhe e pajustifikueshme”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres i kërkoi ushtrisë së Mianmarit të lejojë një vizitë të të dërguarit të tij të posaçëm për të ndihmuar në qetësimin e situatës, për të vendosur bazat për dialog dhe për një kthim në demokraci.

“Vrasja e demonstruesve, arrestimet arbitrare dhe torturat e raportuara ndaj të burgosurve shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe janë në kundërvajtje të qartë me thirrjet e Këshillit të Sigurimit për përmbajtje, dialog dhe kthim në rrugën demokratike,” tha zëdhënësja e tij, Stephane Dujarric.

LIGJI USHTARAK

Transmetuesi shtetëror i Mianmarit, MRTV, tha se ligji ushtarak ishte vendosur në disa zona të Rangunit dhe në qendra tregtare të ish-kryeqytetit të vendit. “Myanmar Now” tha se ishte ligji ushtarak ishte vendosur gjithashtu në disa pjesë të qytetit Mandalay.

Në njoftimin për ligjin ushtarak thuhej se komandantët ushtarakë në Rangun do të merrnin përsipër administrimin e qarqeve, duke përfshirë gjykatat, tha MRTV.

Gjykatat ushtarake kishin autoritetin të jepnin dënime me vdekje ose burgim të gjatë për një sërë veprash. Këto përfshinin tradhtinë dhe mosbindjen, pengimin e shërbimit ushtarak ose civil, përhapjen e informacionit të pavërtetë dhe krimet në lidhje me grumbullimin e paligjshëm.

Ushtria tha se e mori pushtetin pasi akuzat e saj për mashtrim në zgjedhjet e 8 nëntorit të fituara nga Lidhja Kombëtare e Demokracisë (NLD) e zonjës Suu Kyi, u refuzuan nga komisioni zgjedhor. Ajo ka premtuar të mbajë zgjedhje të reja, por nuk ka caktuar një datë.

Ushtria e ka qeverisur Mianmarin për pjesën më të madhe të viteve që nga pavarësia nga Britania në vitin 1948 dhe ka goditur ashpër kryengritjet e mëparshme, përpara se të binte dakord për një tranzicion në demokraci.

Zonja Suu Kyi, 75 vjeç, fituese e Çmimit Nobel të Paqes, mbahet e arrestuar që nga grushti i shtetit dhe përballet me akuza të ndryshme, duke përfshirë importimin e paligjshëm të radiodhënëse-marrëseve dhe shkeljen e protokolleve të koronavirusit. Javën e kaluar, junta e akuzoi atë për pranimin e pagesave të paligjshme, por për këtë ende nuk janë ngritur zyrtarisht akuza.

Ajo pritej të përballej me një seancë tjetër gjyqësore virtuale të hënën, por avokati i saj, Khin Maung Zaw, i tha agjencisë Reuters se seanca nuk mund të vazhdonte sepse interneti ishte i dobët. Seanca tjetër do të jetë më 24 Mars, tha ai.

Vendet perëndimore kanë bërë thirrje për lirimin e zonjës Suu Kyi dhe kanë dënuar dhunën, ndërsa fqinjët aziatikë kanë ofruar të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës, por Mianmari prej shumë vitesh e refuzon ndërhyrjen e jashtme.

SHQETËSIMET E KINËS

Zjarrvëniet e së dielës kundër 32 fabrikave me investime kineze në Hlaingthaya u bënë shkak për komente të forta nga Kina për trazirat në vendin fqinj, ku shumë njerëz e shohin Pekinin si mbështetës të grushtit të shtetit.

Gazeta Global Times e Kinës tha se “sulmet e mbrapshta” shkaktuan dëme me vlerë 37 milion dollarë dhe plagosje të dy punonjësve kinezë. Ambasada kineze u bëri thirrje gjeneralëve të Mianmarit të ndalin dhunën.

“Ne dëshirojmë që autoritetet e Mianmarit të marrin masat e duhura dhe efektive për të garantuar sigurinë e jetës dhe pasurive të kompanive dhe personelit kinez,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijian në Pekin.

Ai nuk i përmendi vdekjet e protestuesve.

Ndjenjat anti-kineze janë rritur që nga grushti i shtetit, i nxitur nga kritikat e buta të Pekinit ndaj marrjes së kontrollit nga ushtarakët, krahasuar me dënimin e ashpër perëndimor. Por udhëheqësja e protestës Thinzar Shunlei Yi tha se populli i Mianmarit nuk i urren fqinjët e tij kinezë, megjithëse sundimtarët e tyre duhej ta kuptojnë zemërimin që ushqejnë njerëzit ndaj qëndrimit të mbajtur prej tyre.

“Qeveria kineze duhet të ndalë mbështetjen e këshillit që kreu grushtin e shtetit, nëse ata vërtet interesohen për marrëdhëniet kino-birmaneze dhe për mbrojtjen e bizneseve të tyre,” tha ajo në Twitter.

The post Mianmar, ushtria forcon kontrollin, 20 të vrarë appeared first on KOHA.

---- ----
-----