
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar brenda ditës kur iu propozua anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, duke e kthyer sërish në funksionale pas më shumë se dy vitesh bllokim.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mesditë, ka propozuar emrin e Përparim Kalos me 90.29 pikë dhe Aleksandër Toma 75.5 pikë për vakancën e Kujtim Lulos.
Menjëherë pas marrjes së shkresës Kreu i Shtetit ka përzgjedhur emrin e parë në listë.
Prej disa muajsh Gjykata Kushtetuese ka vepruar me 5 anëtarë duke shqyrtuar në dhomë këshillimi çështjet e mbërritura dhe duke vendosur se cila prej tyre kalon në seancë shqyrtimi.
Me emërimin e Kalos trupa krijohet e plotë për marrjen në shqyrtim dhe marrjen e vendimeve.
Tashmë procedura në KED vazhdon dhe për anëtarin e shtatë, kjo me vakancën e krijuar pas largimit të Besnik Muçit. Sërish kjo e drejtë përzgjedhje i kalon presidentit.
KED ka kualifikuar deri më tani emrin e juristes Sonila Bejtja. Teksa këtë të premte u mor në vlerësim kandidatura e Zhaklina Petos. Kjo e fundit është skualifikuar më parë prej KED por u rikthye në proces me vendim të Gjykatës Administrative.
Në deklaratën e dhënë për mediat Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë të ditur se Peto ka dhënë dorëheqjen duke e lënë Bejtajn emrin e vetëm deri më tani, ndaj dhe pritet që dhe kandidatura e shtatë ti kalojë për dekretim Kreut të Shtetit brenda vitit.
Gjykata Kushtetuese duhet të ketë 9 gjyqtarë . 3 anëtarë, përfshirë dhe pozicionin e Vitore Tushës që i ka përfunduar mandati, duhet të plotësohen nga Gjykata e Lartë. Por edhe ky institucion mbetet thuajse i bllokuar pasi duhet të ketë 17 anëtarë që të nisin procesin e propozimeve në KED./oranews
The post Meta dekreton anëtarin e 6-të, Shqipëria bëhet me Gjykatë Kushtetuese appeared first on RTV21.