Ballina Lajme nacionale Mesazhet e koduara të Grenell, Trump po hap thesin për Kosovën e...

Mesazhet e koduara të Grenell, Trump po hap thesin për Kosovën e Serbinë?

76
SHPËRNDAJE

Intervista e të dërguarit special Richard Grenell për Berat Buzhalën ka shkaktuar menjëherë reagime të shumta në opinionin publik, pasi pritshmëritë e të gjithëve ishin për marrëveshje të shpejtë Prishtinë-Beograd.

Grenell, jo vetëm që tha që nuk do të ketë marrëveshje, por deklaroi se në takimin e 27 qershorit nuk do të jetë Presidenti Trump dhe në të nuk do të flitet fare për njohjen e Kosovës.

Nga ana tjetër, në mënyrë të ҫuditshme, i dërguari special i Trump për Kosovën, ka folur vetëm për zhvillim ekonomik, rritje punësimi, rritje mirëqenie, duke ironizuar edhe Bashkimin Europian, kur tha se ai le të merret me pjesën politike të dialogut Kosovë-Serbi, ne do të merremi me atë ekonomike.

Po si duhet të merret ky mesazh o koduar i Grenell për opinionin publik, vetëm një javë para samitit që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë?

Sidomos pas lëvizjeve frenetike që kanë ndodhur në Beograd, ku një ditë më parë ishte nxitimthi shefi i diplomacisë ruse Lavrov, e pas pak ditësh vetëm Vuҫiҫ do të takojë Vladimir Putinin në Moskë.

Në mes rreshtave, Grenell, si përfaqësuesi tipik i një presidenti jo konvencional si Donald Trump, ka rritur pjacën, ndërkohë nga ana tjetër duke mos folur për objektin përpara takimit, ka dashur të trazojë ujërat, ndërkohë që sipas gjasave ekziston një draft marrëveshje që do të propozohet.

Mesazhi në fakt më shumë sesa për Kosovën, e cila nuk ka përse të mos jetë në një linjë me SHBA pasi e ka aleate kryesore, ishte për Beogradin.

Pikërisht, një vendi si Serbia, apo politikani si Vuҫiҫ, që është treguar pragmatist për të thithur fonde edhe nga Kina edhe nga Turqia, i ka përmendur paratë, si një “karotë” përpara dialogut.

Mediat serbe kanë nisur menjëherë të përkthejnë këtë mesazh, madje duke përmendur edhe shifra që SHBA mund t’i japë Beogradit nëse njeh Kosovën.

Dikush flet për 3.2 miliardë dollarë, dikush më pak a më shumë, por duket se doza e presionit karshi Beogradit që ka vrapuar tek Moska që të mbrohet nga Amerika, ka bërë efekt në opinionin publik.

Dhe në një farë mënyre Grenell, e thotë thuajse gjatë gjithë intervistës se SHBA ka një plan të qartë për të rritur punësimin dhe të ardhurat për njerëzit.

Në fakt kjo ishte edhe e reja e këtyre negociatave, gjë që askush nuk e priste, pasi ishin përgatitur për harta, territore, kufij e gjëra të tilla. Por kur përmenden paratë, gjithnjë kështu ndodh, tronditja bëhet më virale.

 

-----