Ballina Arti Mbledhja e panjohur, Mehmet Shehu: Beqiri e bëri leckë autoritetin e partisë,...

Mbledhja e panjohur, Mehmet Shehu: Beqiri e bëri leckë autoritetin e partisë, ndërsa Petriti ishte fals, bënte vetëm për një komandant çete…

8
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Ministrisë së Mbrojtjes të cilat i përkasin vitit 1974 dhe bëjnë fjalë për disa mbledhje të zhvilluara në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore të asaj kohe, ku u diskutuan dhe u morrë në analizë “Veprimtaria armiqësore e grupit puçist të Beqir Ballukut”, ku kryeministri Mehmet Shehu do t’u komunikonte vendimet e Byrosë Politike për drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një numër ushtarakësh të tjerë të lartë të Ushtrisë Shqiptare. Për herë të parë publikohet fjala e Mehmet Shehut në mbledhjen e 3 dhjetorit 1974 me komandantët dhe drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe rezoluta e aktivit të Partisë të asaj ministrie, ku Shehu hodhi akuza mbi Ballukon dhe dy zëvëndësat e tij, Petrit Dume e Hito Çako, si dhe disa prej ushtarakëve të lartë të Ushtrisë shqiptare.

Nga Dashnor Kaloçi

“Tradhtarët e Partisë dhe të popullit, Beqir Balluku e Hito Çako, me qëllime të caktuara thellësisht armiqësore, i mbyllën në kasafortë Tezat mbi Artin Ushtarak Popullor, duke e lënë ushtrinë që të punojë me rregullore të vjetra. Në të njëjtën kohë, Beqir Balluku dhe Hito Çako futën gjerësisht në ushtri literaturë të huaj armiqësore, duke u bërë kështu përhapës të ideologjive revizioniste borgjeze.

Një punë të dënueshme e tepër të rrezikshme në futjen e helmit revizionist në ushtri ka bërë Drejtoria Politike, Shtabi i Përgjithshëm, si dhe Instituti i Studimeve Ushtarake, që drejtohet nga shoku Sadik Bekteshi, dhe Drejtoria II-të, që drejtohet nga shoku Andon Sheti”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në rezolutën e mbledhjes së Aktivit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të zhvilluar më datën 16 nëntor të vitit 1974, vetëm një muaj para asaj mbledhjeje të 12 dhjetorit 1974, ku kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, do t’u komunikonte atyre vendimet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi: “Veprimtarinë armiqësore të Grupit puçist të Beqir Ballukut” dhe do të nxirrte jashtë nga salla e asaj mbledhjeje disa prej ushtarakëve më të lartë të Ushtrisë Shqiptare, të cilët Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së i konsideronte si: “Armiq dhe përkrahës të grupit të Beqir Ballukut”.

Krahas kësaj rezolute të Aktivit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes (Arkivi Qendror i F.A., Fondi 100. Viti 1974. Dosja 301), një pjesë nga e cila po botojmë më poshtë në këtë shkrim, nga dokumentet arkivore që disponon Memorie.al, po botojmë edhe një pjesë nga fjala e ish-kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Mehmet Shehu, e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 1974 me komandantët dhe drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë.

Po çfarë thuhet më tej në atë rezolutë të Aktivit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe cilat janë akuzat konkrete që bëhen për krerët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, si dhe për disa nga ish-gjeneralët e famshëm të Ushtrisë Shqiptare? Cilat janë akuzat e Mehmet Shehut ndaj Petrit Dumes në mbledhjen e 3 dhjetorit të vitit 1974 me komandantët dhe drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes?

Me këto e të tjera gjëra të panjohura rreth të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut”, na njohin materialet që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, të cilat hedhin dritë mbi disa nga anët më të errëta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe në rastin konkret, akuzat qesharake me të cilat u ekzekutuan Balluku, Dume e Çako, viktima të paranojës së diktatorit komunist të Shqipërisë.

Rezoluta e Aktivit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes

Në dokumentin arkivor me titull: “Rezoluta e Mbledhjes së Aktivit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore” (Tiranë 16. II. 1974), midis të tjerash shkruhet:

Aktivi i Partisë i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, i cili zhvilloi punimet prej datës 22 deri më 25 nëntor 1974, pasi studioi e dëgjoi me vëmendje analizën e konkluzionet e shokut Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, të datës 10 tetor 1974, si dhe para kuadrove ushtarakë mbi temën: “Të spastrojmë me fshesë të hekurt veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. Të nxjerrim mësime për forcimin e mëtejshëm të punës së partisë në Ushtri”, diskutoi me frymë të lartë partishmërie, i aprovoi ato njëzëri dhe i konsideron dokumente me rëndësi të madhe historike dhe shpëtimtare për fatet e ndërtimit të socializmit e të mbrojtjes së vendit.

Ato përbëjnë një program të madhe pune e lufte për të rritur gjithnjë e më shumë rolin udhëheqës të Partisë në tërë veprimtarinë e jetën e ushtrisë sonë, për thellimin e frymës proletare, marksiste-leniniste të Forcave të Armatosura dhe të gjithë popullit ushtar, e për ta bërë të pathyeshme për jetë mbrojtjen e atdheut tonë socialist. Në aktiv, nëpërmjet analizës së fakteve dhe ngjarjeve, doli se veprimtaria armiqësore e Beqir Ballukut nuk ka qenë e mbyllur, por është shtrirë në shkallë të ndryshme në të gjitha sferat e jetës së ushtrisë.

Me plot argumente u vërtetua se në tërë këtë veprimtari, Beqir Balluku ka pasur si bashkëpunëtor të përhershëm dhe Hito Çakon. Të dy këta armiq të betuar të popullit, të Partisë dhe të socializmit, duke vepruar me vetëdije, si komplotistë dhe diversionistë të regjur, si puçistë e njerëz me dy fytyra prapa shpinës së udhëheqjes së partisë, punuan me konseguencë për revizionimin e vijës së përgjithshme të Partisë, për të dobësuar gatishmërinë luftarake dhe minimin e fateve të socializmit.

Shumë prej tyre kanë munguar shpesh në përgatitjen marksiste-leniniste me komunistët e kuadrot. Këto dhe organizata të tjera partie në drejtori, komanda e institucione nën ndikimin e koncepteve të huaja mbi rolin e tyre udhëheqës, janë mënjanuar nga veprimtaria udhëheqëse për problemet më themelore të edukimit ideopolitik e ushtarak të efektivit. Ato nuk janë marrë me veprimtarinë e kuadrove kryesorë të Ministrisë, me ngritjen në përgjegjësi dhe transferimet e tyre. Po  kështu, raportet e komitetit, sidomos ato të konferencave të Partisë, duhet të merrnin vulën e tyre; edhe problemet që duhet të diskutoheshin në komitet, disa herë diktoheshin nga ata.

Krahas gjithë këtyre, është shtrembëruar ose ka munguar fare informacioni i Partisë. Për këtë gjendje të rëndë përgjegjësia kryesore bie mbi komitetin dhe organizatat bazë të partisë. Komiteti i partisë nuk ka luftuar me konseguencë për të rritur rolin udhëheqës të organizatave bazë të Partisë për t’i prerë rrugën veprimtarisë armiqësore të Beqir Ballukut e Hito Çakos, të cilët i’a hipën në zverk dhe e bënë leckë rolin e autoritetin e tij.

Përgjegjësi të veçantë kanë nënkryetari i komitetit shoku Nane Kutra, zëvendësi i tij, Shefqet Muça e Ndreko Çabeli, si dhe shokët e tjerë të komitetit. Përgjegjësi të rëndë mbajnë dhe shokët Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Rahman Parllaku e Halim Ramohito, të cilët kanë drejtuar sektorë shumë të rëndësishëm në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe në Ushtri. Aktivi i Partisë bëri përpjekje që të thellojë në fjalimet e shokut Enver, por e konsideron këtë vetëm si fillim.

Ai porosit se është e domosdoshme që në këtë drejtim të bëhet qilizëm, të studiojmë dhe ristudiojmë, të ngrihen në këmbë organizatat e Partisë, të rinisë dhe i gjithë efektivi për revolucionarizimin e mëtejshëm të ushtrisë, për të fshirë me fshesë të hekurt veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut e Hito Çakos, për forcimin e mëtejshëm të punës së Partisë në ushtri.

Përmes kësaj lufte të kalitet figura morale e komunistit dhe e ushtarakut revolucionar, që ata të jenë të thjeshtë, të guximshëm e të luftojnë çdo privilegj. Aktivi i Partisë i MMP dënoi me ashpërsi veprimtarinë armiqësore, antiparti dhe revizioniste të komplotistit Hito Çako, këtij bashkëpunëtori besnik të Beqir Ballukut, i cili jo vetëm nuk bëri autokritikë, por, si armik konseguent e i regjur, mbajti qëndrim mospërfillës, u mundua të shpërndante përgjegjësinë dhe si provokator i poshtër, bëri diversion ndaj udhëheqjes së Partisë.

Aktivi propozon njëzëri përjashtimin e tij nga Komiteti Qendror e nga Partia dhe, së bashku me Beqir Ballukun, t’u jepet organeve të drejtësisë për ndjekje penale. Shoku Petrit Dume, në veprimtarinë dhe prepotencën e tij, i ka sjellë dëme të mëdha punës së Partisë në ushtri dhe mbrojtjes së vendit. Duke mbajtur parasysh se është futur në rrugën e thellimit dhe reflektimit, si dhe se premtoi për t’u thelluar më tej në të ardhmen për t’i kuptuar ideologjikisht e politikisht gabimet e fajet e tij, aktivi propozon të përjashtohet nga Pleniumi i Komitetit Qendror dhe të caktohet në një detyrë më të ulët.

Shoku Sadik Bekteshi ka bërë gabime të rënda në zbatimin e vijës së Partisë në ushtri. Sektori që ai drejton, ka përhapur literaturën e huaj ideopolitike e ushtarake, revizionisto-borgjeze dhe ka punuar materialet e zeza. Duke marrë parasysh faktin se ai ka përgjegjësi të rëndë për të gjitha gabimet e vërtetuara dhe se për këtë nuk bëri fare autokritikë, aktivi propozon që të përjashtohet nga pleniumi i Komitetit Qendror dhe të lirohet nga ushtria.

Aktivi e kritikoi ashpër shokun Rahman Parllaku, për faktin se ai vetëm u orvat të bënte autokritikë për konceptet mbi mbrojtjen tonë, të cilat janë të huaja për vijën ushtarake dhe politike të Partisë për ushtrinë dhe e porositi të thellohet që të shkulë rrënjët e karrierizmit, të jetë më i  hapur e më i sinqertë, të shikohet qenia e tij në Pleniumin e KQ të PPSH-së”.

Fjala e kryeministrit Shehu me komandantët e drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes: “Petrit Dumja bënte vetëm për komandant çete”!

Në fjalën e tij në mbledhjen e 3 dhjetorit të vitit 1974 me komandantët dhe drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes, ku u diskutua për: “Veprimtarinë armiqësore të Grupit puçist të Beqir Ballukut”, ish-kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, midis të tjerash u shpreh:

 Ju jeni kthyer në turistë. Krye turisti është drejtori apo komandanti, të cilëve u ka hyrë deri në gjak bredhja lart e poshtë pa asnjë rezultat. Unë nuk e kuptoj, si është e mundur që një drejtor ose një përgjegjës i një komande të harxhojë 250 ditë mbi “Gaz”. Ç’rezultat ka ai? Kjo është shëtitje. Funksioni juaj është kthyer vetëm në shëtitës. Shterp. Kështu nuk do t’ju lejojmë. Edhe të doni të ikni, nuk do t’ju lejojmë.

Në fillim do t’ju marrim kompetencat në këtë drejtim. Edhe numrin e ditëve që do të ikni poshtë, do t’ua caktojmë. Me qëllim, me gjakftohtësi e ndërgjegje për të mirën e punës, tani në fillim do t’ju marrim kompetencat, do t’jua presim iniciativën në këtë drejtim, derisa të shikojmë që secili të kuptojë, të reflektojë, ta marrë veten. Atij që do të shërohet më shpejt, do t’ia lëshojmë kompetencat pak nga pak, derisa t’i marrë plotësisht.

Nuk do t’ju lëmë më të shëtisni poshtë. Ajo ishte metoda e Petrit Dumes dhe Beqir Ballukut, e njerëzve që nuk janë të zotë të drejtojnë. Edhe unë jam një nga ata që kam gabuar në vlerësimin që i kam bërë Petrit Dumes, sepse e kam quajtur atë ushtarak të zot. Por tashti që po i analizoj çështjet më thellë, në bazë të analizave që po bëhen poshtë në organizatën e Partisë e kudo, si dhe në praktikë, e shikoj se Petrit Dumja, ushtarakisht ka qenë para kallp. Ju e dini se çfarë do të thotë para kallp, fals? Asnjë aftësi drejtuese nuk ka pasur, jo për ushtrinë, por as për një brigadë.

Ushtarakisht mund të ishte i vlefshëm vetëm si një komandant çete. Asgjë më tepër. Por kështu nuk drejtohet ushtria. Dhe shembullin më të keq e ka dhënë Petrit Dumja, si dhe vetë Beqir Balluku, i cili vërtet që lëvizte më pak. Por megjithatë asgjë s’ bënte, vetëm shëtiste, nuk drejtonte asgjë. Këtë shembull e keni ndjekur edhe ju. Edhe jua kanë imponuar. Por edhe qejfi jua ka dashur. Kjo ishte motoja e punës suaj dhe përgjegjësia, e të gjitha të këqijat i kishte ai poshtë, baza. Venit poshtë me nga një shpatë të madhe, vetëm për të kapur me “presh në duar” komandën e korpusit, ose të brigadës ose të batalionit etj. dhe për të rreshtuar të gjithë të këqijat. S’keni dhënë asnjë ndihmë dhe keni ikur, jeni larguar. Kjo ishte metoda e “kontrollit” dhe e “hurit” për vartësit, jo metodë e ndihmës dhe e kontrollit të vërtetë.

Është jashtëzakonisht e rrezikshme që në të njëjtën kohë, dy javë rresht në një korpus, në atë të Gjirokastrës, kishte pesë ekipe kontrolli nga ministria. E si do të ishte në gjendje ai korpus që të drejtonte? … Po tani nuk do të lejojmë asnjë njeri që të veprojë kështu. Pyeta Nikollaq Sallabandën: “Ke qenë komandant korpusi në Gjirokastër, pastaj në Fier, pastaj ke ardhur në ministri. Në këta 7-8 vjetët e fundit ke bërë ndonjë referat me kuadrot e tua, në Akademi, apo në Shkollën e Bashkuar, në zbërthimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes?’ ‘Jo, s’kam bërë’, më tha. Atëherë i thashë: ‘Çfarë kuadri je ti, ç’mësues je ti me vartësit e tu?’ (Kjo pyetje nuk është vetëm për shokun Nikollaq, por për të gjithë). ‘S’kam kohë’, më tha, ‘ma morën shpirtin urdhrat’. ‘Mirë, dakord’, i them. ‘Po më i ngarkuar je ti Nikollaq, apo unë?’ ‘Ti je më i ngarkuar’, më thotë. ‘Po pse atëherë mua më del kohë që për tre ditë të bëj një raport prej 47 faqesh për Shkollën e Lirë Ushtarake, ndërsa ti për 15 ditë, po për këtë çështje, më shkruan 15 faqe?! Dhe për atë raport unë kam shfletuar Marksin, Leninin, Stalinin, Mao Ce Dunin dhe Enver Hoxhën, që të shihja se çfarë kishin thënë ata për një çështje të këtij karakteri. Për tre ditë u mbylla brenda, këputa telefonat dhe studioja”.

---- ----
----
-----
-----