Ballina Arti “Marshali Greçko gjeti si preteks për ‘Bazën e Vlorës’, incidentin e policit...

“Marshali Greçko gjeti si preteks për ‘Bazën e Vlorës’, incidentin e policit tonë në lumin e Izovrit me tre gratë sovjetike”

4
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror I shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet fjala e Enver Hoxhës e mbajtur më 30 maj të vitit 1960 me sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë së rretheve dhe disa prej kuadrove më kryesorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai u ndal dhe u bëri me dije të pranishëmve në atë mbledhje, lidhur me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e mëdha që kishin dalë në mes Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të Kremlinit me në krye Nikita Hrushovin, ku problemi më i madh ishte ai i Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, ku pala sovjetike kishte ende edhe 150 marinarë e oficerë, të cilët “krijonin çdo ditë incidente”. Fjala e Enver Hoxhës lidhur me letrën e dërguar nga ana e udhëheqjes sovjetike në mbledhjen e datës 28 dhe 29 mars të atij viti me përfaqësuesit e vendeve pjestare të Traktatit të Varshavës, ky Kryekomandanti i Forcave të Bashkuara, Marshalli Greçko, kishte gjetur si preteks për të marrë tërsisht në zotërim Bazën e Vlorës, incidentin e policit shqiptar në lumin e Izvorit me tre gratë sovjetike, i cili u kishte kërkuar atyre letërnjoftimet, se ndryshe do kishin probleme…

Nga Dashnor Kaloçi

“Në fund, nënvizonim se propozimi i Greçkos nuk kishte asnjë bazë dhe theksonim se arsyet që parashtronte ai për të marrë këto masa ishin të gjitha shpifje dhe trillime. E vetmja “arsye” që paraqiste Greçkoja në letrën e tij për masat që propozonte, ishte se gjoja jetesa e marinarëve sovjetikë në bazën detare të Vlorës ishte bërë e pamundur. Sipas tij, sovjetikëve u ishin krijuar në bazë kushte aq të këqija, sa ata nuk shihnin tjetër rrugëzgjidhje veç asaj që ne shqiptarët të largoheshim nga baza jonë dhe atë ta merrnin në dorë sovjetikët, sepse vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, do të evitohej çdo incident! Një “incident”, sipas tyre, ishte se një polic në lumin Izvor, duke kontrolluar një autobus, me të cilin udhëtonin edhe tri gra sovjetike, u tha atyre që, pasi shkonin për në Vlorë, duhet të kishin me vete letërnjoftimet, sepse në qytet, duke mos i njohur, mund t’u sillnin pengesa. Nga kjo ndërhyrje e policit na qenkan acaruar marrëdhëniet dhe është prekur “krenaria” sovjetike. Ky “incident” na paskësh qenë një nga arsyet vendimtare për të marrë në dorëzim të gjitha anijet nga ana sovjetike”.

Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në një takim me sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë së rretheve dhe me një numër kuadrosh kryesorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të zhvilluar më datën 30 maj të vitit 1960, ku ai u ndal dhe u bëri me dije të pranishëmve në atë mbledhje lidhur me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e mëdha që kishin dalë në mes Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të Kremlinit me në krye Nikita Hrushovin, ku problemi më i madh ishte ai i Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, ku pala sovjetike kishte ende edhe 150 marinarë dhe ushtarakë, të cilët “krijonin çdo ditë incidente”. Lidhur me këtë dhe të gjithë fjalën e Enver Hoxhës në atë mbledhje të datës 30 maj 1960, na njeh ky dokument që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe pa asnjë shkurtim.

Fjala e panjohur e Enver Hoxhës me sekretarët e parë të komiteteve të Partisë të rretheve në Komitetin Qendror të PPSH-së më 30 maj 1961

Dëshiroj t’ju vë në dijeni mbi ngjarjet e kohëve të fundit. Nuk po filloj që nga Mbledhja e Moskës e 81 Partive Komuniste e Punëtore, sepse për këtë ju jeni të informuar, bile shumë prej jush kanë dijeni edhe për mbledhjen e fundit të përfaqësuesve të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, që u zhvillua në Moskë më 28-29 mars të këtij viti. Qëllimi kryesor i mbledhjes së fundit të Traktatit të Varshavës ishte të sulmoheshin Komiteti Qendror Partisë dhe Qeveria jonë. Këtë qëllim kishin Nikita Hrushovi dhe shokët e tij, kurse rendi i ditës i kësaj mbledhjeje parashikonte të mbahej një raport mbi gjendjen moralo-politike të forcave të armatosura të shteteve që bëjnë pjesë në Traktatin e Varshavës dhe armatimi i tyre. Por në fakt nuk u biseduan këto çështje. Problemi i armatimit të ushtrive të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës ishte diskutuar më parë në mbledhje të ndryshme me përfaqësuesit ushtarakë të këtyre vendeve, bile ishin pregatitur edhe listat për nevojat që kishte çdo ushtri, si dhe burimet e vendet se ku do të merreshin këto armatime.

Kështu në mbledhjen e fundit të Traktatit të Varshavës çështja e armatimit të ushtrive ishte vetëm formalisht dhe në fakt kjo as që u diskutua fare. Në këtë mbledhje diskutoi edhe përfaqësuesi i Partisë dhe i Qeverisë sonë. Në diskutimin e tij ai trajtonte situatën ndërkombëtare, gjendjen moralo-politike, armatimin e ushtrisë sonë, parashtronte pikëpamjet e Partisë dhe të Qeverisë sonë në lidhje me masat që duheshin marrë, dhe bënte propozime për forcimin e mëtejshëm të kampit socialist dhe të ushtrive tona. Përveç fjalimit të përfaqësuesit tonë, të gjitha fjalimet e tjera ishin vetëm sulme kundër nesh dhe asnjëri prej udhëheqësve të vendeve të tjera socialiste që diskutuan nuk trajtoi problemet që kishin të bënin me rendin e ditës. Ata u hodhën në sulm dhe pyetën përse nuk foli përfaqësuesi i Shqipërisë në lidhje me letrën që na kishte dërguar Komandanti i Forcave të Bashkuara të Traktatit të Varshavës, Mareshalli A. A. Greçko. Duhet të dini se kjo ishte një letër e dorëzuar në orën e fundit, ashtu siç e praktikon udhëheqja sovjetike në të gjitha mbledhjet ndërkombëtare; ata kanë për qëllim ta vënë tjetrin në pozita të vështira, që të mos ketë kohë ta shqyrtojë me kujdes materialin.

Por ne i kuptuam menjëherë qëllimet e ulëta të Hrushovit me shokë dhe arritëm t’i jepnim në kohë përgjigjen e merituar Mareshallit Greçko, me gojë dhe me shkrim. Letra e Greçkos kërkonte që ne të pranonim të lanim duart nga baza e Vlorës dhe, sipas tij, nga i gjithë ‘hinterlandi’ i saj, i cili të vihej nën drejtimin e sovjetikëve; që forcat e armatosura të marinës shqiptare të tërhiqeshin nga ky territor dhe të gjitha anijet luftarako-detare, ndihmëse etj., të merreshin në dorëzim nga ekuipazhet sovjetike. Ne i’u përgjigjëm në rregull kësaj letre, duke ruajtur kurdoherë gjakftohtësinë, sepse kjo është karakteristika e drejtësisë marksiste-leniniste. Pra, letra jonë ishte shkruar me ton të qetë, në frymë miqësore, bazohej në parimet marksiste-leniniste, në internacionalizmin proletar dhe në marrëveshjet e firmosura në mes të dy qeverive tona. Prandaj i’u përgjigjëm se ky propozim është i papranueshëm për ne, sepse në radhë të parë nuk ishte as miqësor, as internacionalist, as vëllazëror dhe as i bazuar në marrëveshjet që kishim.

Ne i’u përgjigjëm se forcat tona ushtarako-detare, në çdo kohë dhe nga çdo pikëpamje, janë treguar të zonjat të drejtojnë çdo mjet luftarak detar. Në fund, nënvizonim se propozimi i Greçkos nuk kishte asnjë bazë dhe theksonim se arsyet që parashtronte ai për të marrë këto masa ishin të gjitha shpifje dhe trillime. E vetmja “arsye” që paraqiste Greçkoja në letrën e tij për masat që propozonte, ishte se gjoja jetesa e marinarëve sovjetikë në bazën detare të Vlorës ishte bërë e pamundur. Sipas tij, sovjetikëve u ishin krijuar në bazë kushte aq të këqija, sa ata nuk shihnin tjetër rrugëzgjidhje veç asaj që ne shqiptarët të largoheshim nga baza jonë dhe atë ta merrnin në dorë sovjetikët, sepse vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, do të evitohej çdo incident! Një “incident”, sipas tyre, ishte se një polic në lumin Izvor, duke kontrolluar një autobus, me të cilin udhëtonin edhe tri gra sovjetike, u tha atyre që, pasi shkonin për në Vlorë, duhet të kishin me vete letërnjoftimet, sepse në qytet, duke mos i njohur, mund t’u sillnin pengesa. Nga kjo ndërhyrje e policit na qenkan acaruar marrëdhëniet dhe është prekur “krenaria” sovjetike. Ky “incident” na paskësh qenë një nga arsyet vendimtare për të marrë në dorëzim të gjitha anijet nga ana sovjetike.

Përveç kësaj, në letër bëheshin një sërë shpifjesh të tjera për gjëra fare të vogla dhe pa asnjë bazë, sepse as që kanë ndodhur, por janë trilluar me qëllim prej tyre. Për ne është e qartë se këto qëndrime të udhëheqjes sovjetike, që po mbahen pas Mbledhjes së Bukureshtit, kanë bazën e vet politike dhe ideologjike. Përpara Bukureshtit, veçanërisht në bazë, nuk kishte ndodhur as mosmarrëveshja më e vogël midis të dyja palëve, atje kishte harmoni të plotë. Ndërsa pas Bukureshtit u kurdisën të gjitha këto trillime nga ana e udhëheqjes sovjetike, e ambasadës sovjetike në Tiranë, veçanërisht nga ana e oficerëve sovjetikë që kanë ardhur në bazën e Vlorës, apostafat për qëllime armiqësore. Pas fjalimit tonë në mbledhjen e Traktatit të Varshavës, filluan të gjithë sulme kundër nesh. Kur u ngrit Hrushovi dhe e pyeti përfaqësuesin shqiptar përse nuk foli për këtë letër, ne i’u përgjigjëm se nuk ishte këtu vendi të flitej, sepse në këtë mbledhje ne kemi ardhur për probleme të tjera dhe jo për t’iu përgjigjur korrespondencës midis ministrive të mbrojtjes. Mirëpo ata ishin pregatitur për këtë punë, prandaj çfarë nuk thanë kundër nesh: “Ju e keni vënë veten jashtë Traktatit të Varshavës”, “ju jeni antisovjetikë”, “ju shqiptarët jeni kundër unitetit” e të tjera. Janë aq të shumta këto sulme sa nuk thuhen dot.

Po ama edhe përgjigjja që morën ishte sa e drejtë aq edhe e rreptë, saqë Nikita Hrushovi u detyrua të ngrihej njëzet herë të fliste, sepse të gjitha faktet dhe argumentet e tyre ishin pa bazë, dhe këto qëndrime tregonin qartë pozitën e tyre false, antimarksiste, antishqiptare, jomiqësore dhe aspak internacionaliste. Më në fund, pasi folën e folën të gjithë kundër nesh, por edhe ne nuk mbajtëm asgjë përsipër, ata dolën me një vendim që baza e Vlorës t’u dorëzohet sovjetikëve dhe të lidhet direkt me komandantin sovjetik të Forcave të Bashkuara të Traktatit të Varshavës, dhe këtë çështje e hodhën në votë. Të gjithë e aprovuan këtë vendim, vetëm ne votuam kundër dhe e cilësuam si një vendim që s’ka asnjë bazë dhe që nuk përshkohet aspak nga fryma internacionaliste. Përveç kësaj, në mbledhjen e marsit të Traktatit të Varshavës, u bënë edhe sulme e ndërhyrje të tjera kundër nesh, sidomos për gjyqin që do të zhvillohej kundër tradhtarit Teme Sejko me shokë, të cilët organizonin një komplot kundërrevolucionar dhe një ndërhyrje të armatosur të bashkërenduar me Flotën VI-të Amerikane, me monarko-fashistët grekë e me revizionistët jugosllavë, sepse, me sa duket, ky gjyq u digjte shumë.

Në këtë mbledhje, gjyqi kundër këtyre tradhtarëve u bë problem i ditës. Sipas tyre, ky ishte një gjyq i trilluar, fals, sepse Shqipëria nuk është sulmuar prej askujt. Prandaj, sipas tyre, duhej të formohej një komision për të kontrolluar dokumentet e hetuesisë sonë nëse janë të vërteta apo jo. Në këtë frymë folën Hrushovi, Gomulka, Zhivkovi e të tjerë. Ata u kapën nga “fakti” që “përse nuk na keni vënë në dijeni për këtë problem”. Natyrisht, ne e hodhëm poshtë edhe këtë pikëpamje dhe u përgjigjëm ashtu si e meritonin. Karakteristike është fakti se udhëheqësit e vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës në këtë mbledhje kishin ardhur me plane shantazhesh dhe kërcënimesh ndaj nesh për të mos i dënuar spiunët dhe tradhtarët që kishim kapur dhe që kishim deklaruar se do t’i nxirrnim në gjyq. Për t’ia arritur këtij qëllimi ata na frikësonin edhe me likuidimin e bazës ushtarako-detare të Vlorës. Duke na bërë presion me heqjen e bazës së Vlorës, në rast se këta tradhtarë do t’i nxirrnim në gjyq, ata mbronin haptazi tradhtarët e Partisë dhe të atdheut tonë.

Kështu mund të kuptohen këto presione dhe kërcënime. Pse i mbrojtën këta tradhtarë dhe spiunë e dinë vetëm ata. Por ne e kemi shumë të qartë çështjen. Ne kemi shumë të qartë faktin që N. S. Hrushovi ka mbrojtur Panajot Plakun. Ky tradhtar i ka dërguar një letër Hrushovit, me të cilën kërkonte likuidimin e udhëheqjes së Partisë sonë. N. S. Hrushovi ka mbrojtur gjithashtu tradhtarët, Dali Ndreu, Liri Gega, Tuk Jakova e të tjerë, me një fjalë të gjithë tradhtarët e Partisë sonë. Ne dimë gjithashtu se Hrushovi ka biseduar me Sofokli Venizellosin dhe ka pranuar që të na komunikonte neve pikëpamjet e tij mbi të ashtuquajturën çështje të autonomisë së “Vorio Epirit”. Këto gjëra dimë ne, prandaj për këto qëndrime e kemi kritikuar Nikita Hrushovin haptazi, në rrugë marksiste. Mund të lindë pyetja: Përse u dogji atyre dalja e spiunëve dhe e tradhtarëve të Partisë dhe të atdheut tonë në gjyqin e fundit? Këtë e dinë ata. Përse donin të ndërhynin dhe të shikonin dosjet e tradhtarëve tanë? Edhe këtë e dinë ata. Ne dimë një gjë që të jemi kurdoherë vigjilentë. Koha dhe historia janë të pamëshirshme, ato do t’i nxjerrin në shesh këto gjëra dhe do të sqarojnë përse i ka marrë nën sqetull udhëheqja sovjetike tradhtarët e Partisë dhe të shtetit tonë.

Ata nuk na trembin dot me presionet që na bëjnë për bazën e Vlorës, sepse ne jemi në rrugë të drejtë në çdo drejtim. Qenia e bazës së Vlorës i shërben jo vetëm mbrojtjes së Shqipërisë, por të gjithë kampit të socializmit. Për këtë qëllim është krijuar Baza Ushtarako-Detare e Vlorës, gjë që pasqyrohet edhe në dokumentet historike të nënshkruara nga të dyja palët. Faktet kanë treguar se njerëzit tanë që kanë punuar në bazë, drejtonin më së miri mjetet luftarako-detare dhe ata që punojnë sot në bazë janë bërë shumë të zotë në punën e tyre, bile më tepër të zotë nga shumë sovjetikë që kishin ardhur këtu gjoja për të instruktuar njerëzit tanë. Edhe përsa i përket trimërisë, populli, komunistët, oficerët dhe ushtarët shqiptarë e kanë treguar kur ka ardhur rasti. Prandaj vendimi që mori mbledhja e fundit e Traktatit të Varshavës ishte një akt që shkelte të gjitha normat e pranuara për marrëveshjet midis shteteve, që shkelte interesat e kampit të socializmit, që dëmtonte dhe rrezikonte mbrojtjen e Shqipërisë dhe të kampit në tërësi.

Këtë pikëpamje ua kemi thënë troç udhëheqësve sovjetikë dhe gjithë udhëheqësve të vendeve të tjera socialiste të Evropës, prandaj ata mbajnë një përgjegjësi të rëndë historike mbi kurrizin e tyre, në radhë të parë Nikita Hrushovi, por edhe të tjerët kanë po aq përgjegjësi sa edhe ai. Koha do ta tregojë dhe po tregon se ç’krime të poshtra po bëhen. Ajo në të ardhshmen do t’i tregojë edhe më shumë, edhe më qartë poshtërsitë e revizionistëve. Pa marrë parasysh asgjë, ata vazhdojnë në rrugën e tyre antimarksiste që si e si t’i komplikojnë çështjet. Vetëm gjakftohtësia e Partisë sonë ka bërë që deri tani të evitohen veprime të papëlqyera. Udhëheqja sovjetike, pas një mbledhjeje që ka bërë, i ka drejtuar një letër Komitetit Qendror të Partisë sonë të firmosur nga Kosigini. Në gjysmën e kësaj letre flitet për ndihmat që i ka dhënë Bashkimi Sovjetik Shqipërisë. E gjithë kjo pjesë nuk përshkohet nga një frymë miqësore, vëllazërore, internacionaliste, por nga qëllime antishqiptare të grupit revizionist të kryesuar nga Hrushovi. Nga kjo pjesë e letrës gjithashtu del konkluzioni se këto ndihma që ka marrë vendi ynë, nuk i kanë shërbyer udhëheqjes shqiptare për të ulur kurrizin kundrejt pikëpamjeve dhe vendimeve të këtij grupi revizionist.

Me një fjalë, ndihmat që na kanë dhënë populli sovjetik dhe Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, sipas grupit të Hrushovit, duhet të kuptohen si një faktor për të qenë të bindur, për t’iu nënshtruar pikëpamjeve trockiste revizioniste të tij. Në letër ka edhe plot shpifje të fabrikuara kundër bazës së Vlorës duke përfshirë edhe “incidentin” që polici ynë, u paskësh kërkuar tri grave sovjetike që udhëtonin në autobus, të mbanin me vete letërnjoftimet dhe kjo për ta paskësh qenë një “tragjedi e madhe”, prandaj me këtë letër kërkohej që Qeveria Shqiptare, e cila ngarkohej me përgjegjësi të plotë, të zbatonte vendimin e mbledhjes së Traktatit të Varshavës. Me anën e një letre, ne i dhamë përgjigje qeverisë sovjetike, veçanërisht për çështjen e vendimit. Përsëritëm edhe një herë pikëpamjet tona me gjakftohtësi, duke i vërtetuar të gjitha faktet dhe u thamë se vendimi i mbledhjes së Traktatit të Varshavës është i papranueshëm për ne dhe ka vetëm një zgjidhje, që baza ushtarako-detare e Vlorës të qëndrojë në duart e ushtrisë shqiptare. Tjetër zgjidhje nuk ka.

Kjo do të thotë, theksonim në letër, të zbatohet marrëveshja e firmosur nga të dyja palët. Si po zbatohej marrëveshja? Në bazë të marrëveshjes ne kishim në dorëzim të plotë anije luftarako-detare, të cilat i drejtonin oficerët tanë, kurse anijet e tjera, qysh në gushtin e vitit të kaluar, duhet të merreshin në dorëzim nga ekuipazhet tona, pasi ato tashmë ishin të mësuara, të stërvitura dhe plotësisht të gatshme për t’i marrë në dorëzim. Mirëpo, pas Mbledhjes së Bukureshtit, pala sovjetike, me pretekste të ndryshme, se gjoja nuk ka ardhur akoma koha etj., nuk po i dorëzonte anijet në bazë të marrëveshjes. Ne u vumë në dukje sovjetikëve se marinarët tanë janë plotësisht në gjendje t’i marrin anijet në dorëzim dhe t’i drejtojnë, sepse kanë disa vjet që po mësojnë dhe janë stërvitur më mirë nga ata që na keni dërguar ju dhe që vetëm një vit kanë që janë futur në marinë. Kuptohet se qëllimi i tyre ishte të mos na i dorëzonin anijet, sepse, po të ecej sipas grafikut të caktuar me marrëveshje, ata do të na i kishin dorëzuar me kohë. Pas vendimit të Traktatit të Varshavës ne kërkuam të mbahej statukuoja. Këtë ua thamë në mënyrë kategorike. U thamë gjithashtu se po të doni të zbatohet marrëveshja e arritur qysh më parë, sipas së cilës anijet do t’u dorëzohen ekuipazheve tona mbasi të jenë pregatitur, jeni të lirë të largoheni. Edhe vetë shteti sovjetik, një vit e ca më parë ka thënë se “ekuipazhet shqiptare janë të pregatitura”.

 

---- ----
-----