Ballina Lajme Bota/Rajoni Marrëveshja SHBA-Kinë/ Djalli, Belzebuja dhe Donald Trumpi

Marrëveshja SHBA-Kinë/ Djalli, Belzebuja dhe Donald Trumpi

13
SHPËRNDAJE

Ta dëbosh djallin me Belzebunë? Marrëveshja mes Kinës dhe SHBA është pjesë e një vepre më të madhe shkatërruese.

Ndoshta tregjet nganjëherë janë me të vërtetë më të zgjuara sesa vëzhguesit e tregut: ditën kur negociatorët e SHBA dhe të Kinës kremtuan pak a shumë në mënyrë festive në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje fillestare në luftën tregtare që filloi Presidenti amerikan Donald Trump, në bursa mbizotëroi mbledhja e supeve. Në Hong Kong, Shanghai ose Frankfurt am Main. Në Azi pati humbje të vogla në indekset e aksioneve, në Gjermani në fillim të ditës u arrit gjithsesi një rritje prej 0,1 përqind. Miratimi entuziast duket ndryshe.

Për këtë ka shumë arsye

Bilanci që prezanton Trumpi me negociatorët e tij të duket mbresëlënës: Kina tani dëshiron të blejë dukshëm më shumë mallra amerikane, flitet për një rritje prej 100 miliardë dollarë në vit; Kina garanton afrim pozicionesh për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale për firmat amerikane dhe për transferimin e teknologjisë deri tani të imponuar; Kina lë hapur mundësinë e rritjes së blerjeve të mallrave bujqësorë amerikane, fermerët amerikanë do ta falënderojnë Trumpin.

Kurse pala kineze pati publikuar që në fillim të javës një përllogaritje, që kuptohet si një arsyetim për marrëveshjen numër një në konfliktin ndoshta ende të gjatë të tregtisë: rënie e eksporteve në SHBA dhe rritje historike e ulët e tregtisë në të gjithë botën; si rezultat, një rritje ekonomike e ulët sipas standardeve kineze prej pak më shumë se gjashtë përqind; pa rritje të fortë, megjithatë, nuk do të kishte siguri politike në perandorinë e Partisë Komuniste …Ndoshta kaq e thjeshtë është.

Por në fakt, ende nuk është e qartë se si do të vejë fati i marrëveshjeve. Trumpi është një sundimtar i paparashikueshëm në veprime; sundimtarët kinezë do të bënin gjithçka, por jo të dorëzonin përparësitë që zotërojnë (qëllimi i tyre është që të zgjerohen ekonomikisht dhe politikisht për t’u bërë numri një në botën digjitale – dhe për të mbetur në pushtet ). Por mbi të gjitha, e ashtuquajtura marrëveshje tregon të gjitha simptomat e problemeve që supozohet të zgjidhë.

Djalli & Belzebuja

Belzebuja (demon në mitologjinë kristjane, sinonim me djallin, shën.red.) Trump tregon – kjo ka qenë prej kohësh vula e tij – mosrespektim demonstrativ ndaj atyre marrëveshjeve shumëpalëshe, ndërkombëtare, në të cilat nuk është ai dhe vetëm ai që t’i diktojë rregullat. Instrumenti “sanksione” është bërë mjet i sprovuar. Kur nuk tregon vullnet, unë përdor dhunë. Në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit, ekonomisti gjerman Gabriel Felbermayr foli për “absurditet bilateral në një botë shumëpalëshe”. Zor se mund ta thuash më mirë. Dhe që nga Pekini, kreu i Dhomës së Tregtisë Evropiane, Jörg Wuttke, përdori shprehjen e duhur: “tregti e manipuluar” – ndoshta kjo është ajo që mund të dalë nga marrëveshja tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Në kohët e vjetra, për konflikte tregtare siç janë ato që tani “vendosen” në Shtëpinë e Bardhë ekzistonin mekanizmat e arbitrazhit ndërkombëtar, veçanërisht Organizata Botërore e Tregtisë OBT. Edhe te kjo organizatë ka gjëra që nuk shkojnë, pa dyshim. Por Trumpi edhe këtu goditi me sëpatën e madhe dhe e paralizoi krejtësisht punën.

Lufta tregtare e Presidentit amerikan është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj arritjeve të tilla, pavarësisht se për se mund të bihet dakord në Shtëpinë e Bardhë. Shanset për zgjidhjen e problemeve shumëpalëshe bëhen më të vogla dhe jo më të mëdha. Ajo që del prej saj mund të shihet në bazë të bilancit të tregtisë së jashtme kineze, si dhe – në fusha të tjera – në Iran dhe Irak ose në Brazil ose edhe në Hungari dhe Poloni. Amerika first shkatërron arritjet ndërkombëtare me të cilat duhet të trajtohen me të vërtetë probleme vendimtare, globale dhe sjell (ndoshta) 40 miliardë dollarë më shumë qarkullim për fermerët amerikanë. Trumpit këta do t’i nevojiten për rizgjedhjen e tij. Mbase kaq e thjeshtë është./DW