Ballina Lajme nacionale Maqedonia e Veriut kërkon vaksinat ruse Sputnik të prodhuara në Serbi

Maqedonia e Veriut kërkon vaksinat ruse Sputnik të prodhuara në Serbi

14
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut do të bëjë një marrëveshje me autoritetet shëndetësore serbe për furnizimin me vaksina ruse Sputnik V, të cilat do të prodhohen në Serbi.

15 mijë maqedonas deri tani janë vaksinuar në Serbi, siç bëri të ditur ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar pas një takimi në Beograd me homologun e tij nga Shkupi, Venko Filipçe. Ata kryesisht kanë marrë doza të AstraZaneca-s, të cilat në Maqedoninë e Veriut nuk u jepen personave nën 60 vjeç.

Ministri serb tha se vendi i tij “më e pakta që mund të bëjë, është që t’ua sigurojë rivaksinimin këtyre qytetarëve nga vendi fqinj”. Por, Serbia është e gatshme që dozat për këta persona t’ia dorëzojë autoriteteve maqedonase në mënyrë që rivaksinimi të bëhet në vendbanimin e tyre.

Ministri maqedonas Filipçe qëndroi në Institutin “Torlak” ku prodhohen vaksinat ruse, teksa ka rënë dakord që “ky institut të jetë partner strategjik për furnizmin me vaksina të Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës që vjen”. Megjithatë, autoritetet maqedonase nga ana tjetër thonë se kanë bërë porositë për sasitë e duhura të vaksinave nga kompani të tjera që pritet, sipas tyre, të arrijnë deri në fund të muajit dhe muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, duke e prezantuar si gjest mirënjohjeje ndaj Serbisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që qytetarët serbë t’i lirojë nga taksa rrugore nga 15 qershori deri më 15 gusht. Për këtë ka reaguar partia opozitare shqiptare Alternativa, e cila thotë se kështu bëhet diskriminimi i qytetarëve të vendit.

Qeveria në Shkup në përpjekje të nxitjes së turizmit në vend, po ashtu ka vendosur që turistëve të huaj t’ua mundësojë pa pagesë testin PCR.

Gjendja me koronavirusin ka nisur të qetësohet në javën e fundit, sipas njoftimeve të Institutit të Shëndetëit Publik, por shkalla e vdekshmërisë megjithatë mbetet e lartë. Deri tani jetën e kanë humbur 4,500 njerëz.

Pandemia ka ndikuar edhe në sferën politike. Së fundmi, dy deputetë të shumicës parlamentare të diagnostikuar me Covid-19 dhe të vendosur në izolim, janë detyruar të shkojnë në parlament, të veshur me veshje speciale kundër virusit, për të votuar paketën ekonomike të qeverisë që u mundësonte pagesën për muajt mars dhe prill mijëra punëtorëve dhe ndërmarrjeve që pësuan probleme nga pandemia. Kjo shkaktoi përplasje midis opozitës maqedonase dhe pushtetit dhe mjaft reagime në opinionin publik. Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE e quajti përpjekje për “terrorizëm biologjik” lejimin e dy ligjvënësve brenda godinës së parlamentit. Opozita ka ngritur kallëzim penal kundër Kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi dhe dy ligjvënësve Bisera Kostadinova Stojçevska dhe Mirosllav Bogdanovski për shkeljen e urdhërit për izolim./VOA

The post Maqedonia e Veriut kërkon vaksinat ruse Sputnik të prodhuara në Serbi appeared first on Abc News.

---- ----
-----