Ballina Sport Mane po mendon largimin nga Liverpool, e ardhmja në Madrid

Mane po mendon largimin nga Liverpool, e ardhmja në Madrid

15
SHPËRNDAJE

Sulmuesin senegalez Sadio Mane nuk ka dëshirë që të qëndrojë te Liverpool. Sipas revistës “France Football”, skuadra e tij e ardhshme do të jetë Real madridi.

Madje kalimi i tij te “galaktikët” mund të kishte ndodhur që në 2018-ën. Transferimi u ndal vetëm nga dorëheqja e trajnerit Zinedin Zidane. Ylli afrikan mbeti shumë i zhgënjyer nga fakti që këtë vit nuk fitoi dot “Topin e Artë” pas një sezoni fantastik që zhvilloi me Liverpulin. Ai u rendit i katërti pas Mesit, Van Dajkut dhe Kristiano Ronaldos.

Por deklarata e Jurgen Klopp-it se “Topin e Artë” e meritonte Van Dajk duket se nuk i ka pëlqyer aspak dhe Mane mendon se tani është koha për të marrë një vendim. Shoku i tij i skuadrës në kombëtare, Keita Balde ka sqaruar situatën dhe mundësinë e transferimit te Reali.

“Do të varet nga shumë gjëra. Nuk e di cili është vendimi i tij. Ai është një lojtar i zgjuar dhe e di mirë kohën për të ndryshuar”, tha Balde.

Momo Sisoko ishte më i drejtpërdrejtë dhe mendon se Mane do të përfundojë në Madrid. Ai ka kontratë me Liverpulin deri në vitin 2023 dhe kjo gjë i vështirëson mundësitë e transferimit.

Megjithatë, në artikullin e revistës franceze thuhet se për një ofertë interesante, anglezët mund të bënin lëvizje. “Liverpuli nuk është një klub që i shet lojtarët, por nëse do të ofrohen 150 milionë euro për Manenë, sigurisht që do të mendohet”, shkruan “France Football”.

-----