Ballina Lajme Bota/Rajoni Mali i Zi: Ligji i premtuar për lustracion mund të rezultojë një...

Mali i Zi: Ligji i premtuar për lustracion mund të rezultojë një mision i pamundur

24
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

A mund të ketë sukses Mali i Zi, kur vendet e tjera të Ballkanit dështuan në kryerjen e një procesi të drejtë lustracioni? Me shumë gjasa jo, thonë analistët dhe ekspertët.

Nga Samir Kajosevic

Qeveria e re e koalicionit e Malit të Zi po premton një ligj mbi lustracionin për të hequr zyrtarët publikë fajtorë për shkelje të të drejtave të njeriut në të kaluarën, por analistët politikë dhe ekspertët ligjorë thonë se ajo përballet me pengesa të konsiderueshme kushtetuese dhe politike.

Që nga rënia e Murit të Berlinit tre dekada më parë, një mori shtetesh të Europës Lindore kanë miratuar ligje të hartuara për të larguar nga jeta publike ata njerëz që lidhen me shkelje të të drejtave të njeriut të kryera nën ish-regjimet e tyre komuniste, veçanërisht anëtarët e sigurimit dhe informatorët e tyre.

Ka pasur disa përpjekje për të bërë të njëjtën gjë në ish-Jugosllavi, duke shkaktuar më shumë polemika sesa duke pasur sukses të vërtetë.

Tani qeveria e re e Malit të Zi, e cila mori pushtetin këtë muaj dhe i dha fund tre dekadave të qeverisjes së pandërprerë nga Partia Demokratike e Socialistëve, DPS, thotë se ajo gjithashtu dëshiron të mbajë përgjegjës ata që janë përgjegjës për shkelje të të drejtave, duke përfshirë ish-zyrtarë ose bashkëpunëtorë të Jugosllavisë – shërbimi i inteligjencës i asaj kohe i njohur si UDBA.

Më 3 dhjetor, zv/kryeministri Dritan Abazoviç tha për televizionin malazez Vijesti se vendi kishte nevojë për një proces lustracioni në mënyrë që të bëjë paqe me të kaluarën e tij. Ai mohoi se ky proces do të përdorej për t’u hakmarrë ndaj DPS, e cila u formua në 1991 si partia pasuese e Lidhjes së Komunistëve të Malit të Zi. “Ligji duhet të përshkruajë akte për të cilat dikush mund të lustrohet dhe listën e zyrtarëve që duhet të lustrohen”, tha Abazoviç. “Deri më tani, një ligj i tillë nuk është gati. Ne nuk kemi asnjë ide të përbashkët se si duhet të duket ky ligj.” Por analistët dhe ekspertët nuk janë të bindur.

“Në vendet e rajonit nuk ka histori të suksesshme të lustracionit, kështu që nuk jam i sigurt se ky proces është i realizueshëm në Malin e Zi”, tha Boris Raoniç, drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aleanca Qytetare me bazë në Podgoricë.

“Njerëzit që bashkëpunuan me policinë sekrete duhet të përjashtohen nga jeta publike”, tha ai, “por një proces i tillë mund të jetë i vështirë në Malin e Zi.”

“Forcat që ishin kundër shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në vitet 1990 janë ende një pakicë në vend dhe shumica parlamentare nuk është mjaftueshëm e qëndrueshme për një proces të tillë”, tha Raoniç për BIRN.

Pak sukses për lustracionin në Ballkan

Mali i Zi do të përpiqet të frymëzohet nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në Serbi, Ligji për Përgjegjësinë për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut u miratua në 2001 pas rënies së Sllobodan Millosheviçit, por ai nuk u vu kurrë në zbatim.

Në Maqedoninë e Veriut, një Komision i Lustracionit filloi punë në vitin 2009, por u akuzua nga partitë e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut se thjesht po vinte nën shënjestër kritikët e VMRO-DPMNE në atë kohë në pushtet.

Pas kritikave nga Bashkimi Europian, Komisioni njoftoi në 2015 se do të fillonte të mbyllej. Por ai la në fuqi sanksionet e vendosura për më shumë se 200 persona “të lustruar”, përfshirë ndalimin për të punuar në një institucion shtetëror për këdo që deklarohet bashkëpunëtor me ish-policinë sekrete.

Gjykata Administrative e vendit që atëherë ka anuluar dhjetëra vendime nga Komisioni ndërsa një numër i madh ish-zyrtarësh komunistë janë ankuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kanë fituar.

Në Shqipëri, pavarësisht bojkotimit të parlamentit nga opozita dhe dyshimeve të Brukselit, një për lustacionin u miratua në 2008, duke ndaluar nga shërbimi publik cilindo që konsiderohet se kishte lidhje me Sigurimin nga nëntori 1944 deri në dhjetor 1990.

Kritikët e ligjit thanë se ai ishte antikushtetues pasi ai i dha një komisioni të posaçëm pushtetin për të shkarkuar pa një proces të rregullt në gjykata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë shërbyer gjatë kohës së regjimit komunist.

Aleanca “E zeza mbi të bardhë” e Abazoviçit, megjithatë, tha se një ligj malazez lustacioni nuk kishte të bënte me hakmarrjen.

“Qëllim i këtij ligji nuk duhet të jetë hakmarrja, por vendosja e demokracisë”, tha për BIRN deputeti i “E bardha mbi të zezë” Filip Adziç. “Publiku ka të drejtë të dijë se kush është i padenjë për të kryer funksione publike.”

Megjithatë, qeveria është një koalicion i katër blloqeve shumë të ndryshme, të bashkuar nga qëllimi i përbashkët për të larguar nga parlamenti DPS-në.

Nebojsa Medojeviç, një deputet për Frontin Demokratik bashkë-qeverisës, tha se premtimi i një ligji për lustracion ishte “thjesht marketing politik”. Ai argumentoi që qeveria fillimisht duhet të kërkojë të hapë dosjet e shërbimit sekret.

“Ne duhet të çrrënjosim një regjim totalitar”, tha ai. “Ne duhet të publikojmë emrat e njerëzve të lidhur me shërbimin sekret dhe t’i përjashtojmë ata nga jeta publike.” “Për fat të keq,” argumentoi Medojeviç, “kjo qeveri nuk është e aftë ta fillojë procesin për shkak të mungesës së vullnetit politik.”

Pengesa kushtetuese

Një përpjekje e mëparshme për të miratuar një ligj të tillë, e nxitur nga Partia Liberale e opozitës, në vitin 2006, u rrëzua pasi nuk arriti të fitonte mbështetjen e mjaftueshme në parlament.

Por ndërsa pengesat politike janë domethënëse, është kushtetuta ajo që mund të prishë vërtet planet e qeverisë, tha avokati nga Podgorica Velibor Markoviç.

Sipas Nenit 45 të Kushtetutës së Malit të Zi, çdo qytetar ka të drejtë të votojë dhe të zgjidhet, ndërsa Neni 62 garanton të drejtën për të punuar dhe zgjedhjen e lirë të profesionit. Një ndalim për mbajtjen e funksioneve publike do të shkelte të dy nenet, tha Markoviç.

“Nëse parlamenti miraton ligjin, ai rrezikon të refuzohet nga Gjykata Kushtetuese ose nga paditë para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha Markoviç për BIRN.

“Prandaj, parlamenti do të duhet fillimisht të ndryshojë disa dispozita të Kushtetutës që kufizojnë vënien në zbatim të ligjit të lustracionit.”

Ndryshimet kushtetuese kërkojnë një shumicë prej dy të tretave në parlament, shumë më tepër sesa ka aktualisht qeveria, e cila ka 41 nga 80 vendet e asamblesë.

“Për shkak të mungesës së mbështetjes në parlament, tani për tani, është e vështirë që në Mal të Zi të mund të pritet të kryhet procesi i lustracionit”, tha Markoviç.

 

 

---- ----
----
-----
-----