Ballina Lajme nacionale “Luli t’ju japë një zyrë dhe të rrinë …”, zgjidhja për Voltana...

“Luli t’ju japë një zyrë dhe të rrinë …”, zgjidhja për Voltana Ademin dhe Xhelal Mziun

16
SHPËRNDAJE

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se të gjithë kryebashkiakët e djathtë do të lirojnë zyrat e tyre deri më datë 10 gusht. Numri dy i PS u shpreh se kryebashkiakëve të PD iu mbaron mandati më 10 gusht, ndaj dhe brenda dy javëve kryebashkiakët socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit do të marrin detyrën.

I pyetur nga gazetari nëse do të nxirren me forcë nga policia nga zyrat, Balla nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, por është shprehur se iu sugjeron kryetarëve të djathtë të mblidhen në SHQUP dhe t’iu japë Luli një zyrë, pasi sipas tij, në bashki, sidomos në Shkodër e Kamëz, duhet të nisë menjëherë puna e të majtëve.

Kryebashkiakët e PD kanë thënë se nuk do të lirojnë zyrat e tyre, si do shkojë kjo punë, do i nxjerrë policia?

Ka një afat kushtetues të mandatit të kryebashkiakëve. Për ata që nuk janë zgjedhur afati përfundon më 10 gusht. Asnjëri prej tyre nuk qëndron, këto vetëdeklarimet janë pjesë e sjelljes gaztoreske që ka bashkuar SHQUP-in e LSI. Procesi është shumë i qartë dhe besoj brenda dy javëve të ardhshme marrin detyrën kryebashkiakët e rinj.

Të gjithë kryetarët që nuk janë rizgjedhur kanë mbaruar mandatin e tyre, ndaj dhe nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë dhe nuk mund të japin asnjë shërbim. Unë ju sugjeroj të mblidhen në SHQUP dhe t’iu japë Luli nga një zyrë. Në Shkodër apo në Kamëz kryetarët e rinj duhet të fillojnë menjëherë, për të çliruar ato bashki nga pengmarrja politike shumëvjeçare dhe për ta vënë atë në krye të punëve dhe shërbim të njerëzve.

Qytetarët zgjodhën më 30 qershor, pjesëmarrjen nuk e shoh të ulët. Basha, Berisha, Kryemadhi e Meta u përpoqën të kërcënonin e intimidonin çdo qytetar shqiptar të merrnin pjesë në zgjedhje. Ne e mundëm Sali Berishën me 700 mijë vota më 2013 dhe përsëri i mundëm të katër liderët e opozitës me mbi 700 mijë vota. Në kushtet e një normaliteti PS do kishte dashur ta kishte fitoren me kundërshtarët përballë, por ky është një moment i rëndësishëm, pasi ka fituar shteti i së drejtës, shteti me ligje. PD i ka pasur të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në zgjedhje. Arsyeja pse nuk mori është e vetme: fati politik i Lulzim Bashës, i cili nëse do të hynte në këto zgjedhje, do të humbte.

-----