Ballina Sport “Loja” me shifrat: Stepja e qeverisë për sponsorizimet, ja sa përfiton futbolli

“Loja” me shifrat: Stepja e qeverisë për sponsorizimet, ja sa përfiton futbolli

12
SHPËRNDAJE

“Thembra e Akilit’ është vetëm ligji për sponsorizimet”. Kështu deklaroi dje presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit.

Deri më tani, Liga ka pasur katër kërkesa ndaj qeverisë, të cilat në thelb janë të karakterit financiar. Mirëpo, ajo për të cilën ngulmohet fort nga të dyja palët, si Liga ashtu edhe Ministria e Financave që në fund të miratohet versioni i tyre, ka të bëjë me ligjin e sponsorizimeve.

“LOJA” ME SHIFRA

Duke qenë në fushën e blertë të futbollit, duket qartësisht se mes këtyre dy palëve ka një “lojë” me shifrat dhe në thelb buxhetin e shtetit. Futbolli dhe sporti kanë kërkuar kopjen e ligjit të Kosovës, ku 30% e tatimeve u zbriten kompanive që sponsorizojnë në sport.

Kësisoj, ata i afrohen sportit me investime. Nga ana tjetër, qeveria ka miratuar ligjin aktual duke rritur nga 3% në 5% shumën e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjitha sponsorizimet. Njëkohësisht, administrata tatimore njeh trefishin e kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm për çdo sponsorizim nga kompanitë me fitim mbi 100 milionë lekë (të rinj). Boll me taktikë, le të luajmë futboll të hapur…

ÇFARË PO KËRKOHET

Le të flasim me shembuj. Liga i kërkon qeverisë që, së pari, ta ulë tavanin prej 100 milionë lekësh (të rinj) fitim në vit për bizneset që mund të investojnë në sport. Në këtë mënyrë mund të përfitojnë sa më shumë kompani që të japin sponsorizime.

Më tej, Liga kërkon ligjin që të mundësojë zbritjen prej 30% të tatimeve për çdo kompani që do të sponsorizojë në sport. Shembulli i thënë shqip, për një kompani që deklaron në vit 1 milion euro fitime, ligji e detyron të paguajë 15% tatim, pra 150 mijë euro.

Liga i kërkon shtetit që me anë të ligjit, kjo kompani të paguajë 30% më pak, që në këtë rast është 45 mijë euro më pak, pra 105 mijë euro tatime. Në këtë moment, sigurisht që Liga propozon që shteti të futet në “lojë” me rregulla, nene dhe ligje, që ta “detyrojë” kompaninë në fjalë që të sponsorizojë sa më tepër drejt sportit për këtë zbritje që i bëhet.

ÇFARË PO NDALON SHTETI

Në pamje të parë, kjo është një formulë e artë. Pra, sporti sigurisht që përfiton. Por, humbësi në këtë rast është buxheti i shtetit.

Duke folur sërish me këtë logjikën e shifrave, zbritja e kërkuar bëhet shumë e madhe duke marrë parasysh që në vend ka edhe kompani që deklarojnë shumë më shumë fitim sesa 1 milion euro në vit. Pra, në total, buxheti i shtetit i bie të falë shumë herë më shumë sesa 45 mijë eurot e marra shembull më sipër. Prandaj kundërshton Ministria e Financave…(PanoramaSport)

-----