Ballina Sport Liga e Futbollit kopjon FSHF-në dhe vendos diktaturë kundër fjalës së lirë

Liga e Futbollit kopjon FSHF-në dhe vendos diktaturë kundër fjalës së lirë

13
SHPËRNDAJE

Liga Profesioniste e Futbollit ka treguar sot me një vendim të pashembullt, e pa asnjë bazë të mirëfilltë ligjore, se po mundohet të kopjojë në çdo mënyrë FSHF-në dhe mënyrën se si kjo e fundit mundohet të kontrollojë çdo lloj informacioni që del në publik.

Liga sot ka vendosur që për shkak të qëndrimit kritik në një emision telviziv ndaj gjërave që nuk funksionojnë ashtu siç duhet në futbollin tonë, të zgjedhë që të mos i lejojë më RTSH-së, televizionit publik kombëtar, që të transmetojë paketën “highlights” të ndeshjeve të Superiores.

Një veprim absurd, që ka si synim të orientojë linjën editoriale të emisionit në fjalë sipas interesave të veçanta të Ligës, qofshin ato të drejta apo të gabuara, duke cënuar parimin kryesor të lirisë së mediave.

Liga ka vendosur në këtë mënyrë që të mos lejojë shikuesit e RTSH që të ndjekin javë pas jave prodhimin e saj, nga një studio ku të gjithë anëtarët e Ligës kanë qenë protagonistë në këto vite dhe kanë shprehur lirshmërisht mendimet e tyre pa asnjë lloj kufizimi, pavarësisht qëndrimit editorial të emisionit “Rubrika Sportive”.

Njëkohësiht, ky vendim cënon edhe mendimin e lirë, pasi të ftuarve në studio, u kërkohet praktikisht që të mbajnë një qëndrim të caktuar, që i shkon për shtat Ligës, pa i dhënë të drejtën e opozitarizmit apo kritikës që të tregojnë një ngjarje ashtu siç e shohin ata.

Një vendim skandaloz, i cili tregon qartësisht se sa shumë Liga po mundohet që të kopjojë FSHF-në.

Kjo e fundit, në mënyrë absurde, pak muaj më parë dënoi futbollistë e drejtues klubesh për fjalët që kishin thënë po në këtë studio televizive, kryesisht ankesa për mënyrën se si ishin gjykuar ndeshjet e tyre dhe kishin rreshtuar gabimet e arbitrave, duke cilësuar nëpërnjet komisioneve juridike se kishin cënuar imazhin e saj.

Një shembëlltyrë perfekte e diktaturës, e cila po mundohet që të përçohet edhe në Ligën Profesioniste, që shpresohej se do të ishte një shtysë për modernizimin e futbollit shqiptar, poe po kthehet gjithmonë e më shumë në reflektimin e mentalitetit të vjetër që mbizotëron në FSHF e me të cilin futbolli shqiptar ka pak gjasa që të bëjë përpara.

REAGIMI I RTSH SPORT:

RTSH shpreh shqetësimin për prononcimin e presidentit të Ligës Profesioniste të futbollit, z. Edvin Libohova i cili ka deklaruar para mediave se një prej vendimeve të ditës së sotme të mbledhjes së Ligës Profesioniste është mos përsëritja e kontratës të “highlights”-eve për Kategorinë Superiore. Arsyeja e këtij vendimi, sipas Presidentit të Ligës, është trajtimi që i është bërë kërkesave të tyre gjatë emisionit Rubrika Sportive.

RTSH, së pari siguron, se kurrë, për asnjë arsye nuk ka tradhëtuar misionin për të informuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur publikun. Ky qëndrim i Ligës, është një tentativë e dukshme për të ndikuar në linjën editoriale të transmetuesit publik.

Liga Profesioniste e futbollit mund të bojkotojë Kategorinë Superiore, por nuk mund të vendosë kurrë se si duhet të organizohet një emision televiziv apo si duhet të trajtohen problematika të veçanta në emisionin Rubrikën Sportive, e cila ka 50 vjet në transmetim. Kjo nuk është hera e parë që Liga, nëpërmjet përfaqsuesve të saj më të zellshëm tenton që të ndikojë në emisionet tona, duke provuar të diktojë deri tek të ftuarit në panel, apo edhe për kronikat e veçanta.

RTSH, për të qënë sa më e balancuar dhe e pavarur që prej ditëve të para të bojkotit ka ftuar dhe ka patur të pranishëm në studio si përfaqësuesit e Ligës, ashtu edhe përfaqësuesit e qeverisë, apo të ftuar nga FSHF duke mbajtur mardhënie korrekte me zyrën e shtypit të këtij institucioni.

RTSH i ka dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë të ftuarve për të shprehur mendimin e tyre, apo edhe për të parashtruar tezat apo zgjidhjet për bojkotin e Superiores. Liga Profesioniste e futbollit nuk mund të përpiqet “të mbrojë produktin” e vet në mënyrën më të gabuar të mundshme, duke privuar publikun shqiptar të ndjekë pamjet e kampionatit të vet, nëpërmjet ekranit të RTSH-së.

I bëjmë me dije Ligës, të informohet që të drejtat televizive të Kategorisë Superiore janë shitur për një periudhë 4 vjeçare nga Federata Shqiptare e Futbollit, periudhë e cila nuk ka përfunduar ende. Garantojmë publikun që me zbardhjen e vendimit të Ligës Profesioniste, RTSH do të ndërmarë hapat e saj ligjorë për të bërë të pavlefshëme një tentativë të radhës për të “bllokuar” studiot televizive që flasin atë që mendojnë dhe jo atë që kërkojnë tu diktojnë. (Vipsport)

-----