Ballina Arti Letra e Mihal Gramenos për Esat Toptanin: Luftove Pasha me dragonjtë e...

Letra e Mihal Gramenos për Esat Toptanin: Luftove Pasha me dragonjtë e Shqipërisë, u dhe dërmën anmiqëvet dhe nderove Shqipërinë, por…

23
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon disa shkrime të panjohur të botuar në shatorin e vitit 1913 në gazetën “Përlindja e Shqypniës” që dilte në Vlorë, ku në njërin prej tyre, autori i saj i cili ka nënshkruar atë me emrin, (Met Fiso) i drejtohet Esat Pashë Toptanit, duke marrë në analizë të gjithë lëvizjet e tij politike dhe ushtarake. Të gjitha detajet e letrës, që nga lufta e tij heroike për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, arsyet e dorzimit të qytetit trupave malazeze, e deri tek dorëheqja si ministër i kabinetin të Vlorës, ku pashai Toptanas dha dorëheqjen, pasi akuzonte Ismail Qemalin, se u kishte marrë kompetencat ministrave! Si dhe disa shkrime të tjera të panjohura nga shtypi shqiptar i vitit 1913, kryesisht te gazeta “Përlindja e Shqypniës”, ku disa patriotë të njohur si: Mihal Gremeno, Bahri Omari, Hiqmet Delvina, Kol Tromara, Ibrahim Shyti etj., i dërguan disa letra të hapura publike Esat Pashë Toptanit, ku i bënin thirrje atij që të hiqte dorë nga tradhtia që po i bënte Shqipërisë e qeverisë së Vlorës!

Nga Dashnor Kaloçi

(Vijon nga numri i kaluar)

“Miting i math në Vlonë, kundër Klikës së Tiranës”

Veprimtaria antikombëtare e Esad Pashë Toptanit dhe lëvizjet e tij politiko-ushtarake në drejtim të kundërt me atë që po ndiqte qeverisë së Vlorës, zgjuan një indinjatë të madhe jo vetëm tek mjaft patriotë të njohur shqiptar të asaj kohe të cilët i dërguan pashait Toptanas disa letra të hapura publike me anë të shtypit, por edhe tek mjaft të rinj shqiptarë. Një pjesë prej tyre organizuan një sërë mitingjesh në qytetin e Vlorës, ku mes të tjerëve e morën fjalën edhe disa patriotë të njohur si: Mihal Gremeno, Mustafa Hilmi dhe Jani Minga, të cilët e dënuan veprimtarinë antikombëtare të Esad Pashës dhe mbështetësve të tij në Tiranë. Lidhur me këtë miting ndërmjet të tjerash në gazetën “Përlindja e Shqipniës” të shtatorit të vitit 1913, shkruhet:

“Dje në orën 10 u mbajt një miting i math, në Muradije, i cili ishte i organizuar prej një komiteti. Qëllimi i mitingut ishte që të protestojë kundra Klikës së Tiranës e cila ka paturpësinë që të sjellë turbullime sot kur Shqipëria ndodhet në një ditë të vështirë. Gjindja pra vrapoj në këtë miting, me të cilën treguan fort bukur dëshirat e kombit shqiptar që kurrë nuk do të pranojë mendimet antipatriotike të ca njerëzvet që duan humbjen e Shqipërisë.

Fjalën e parë e mori zoti Ibrahim, katundar i Vlorës, i cili tregojti nisjen e të prokllamuarit të vetëqeverimit Shqipërisë, thotë që ca re të zeza janë ngritur në Durrës edhe Tiranë, nga ca njerëz të liq për të turbulluar qetësinë e Shqipërisë. Këta njerz tha kërkojnë që të bahet kryeqytet Durrësi, të ndrrohet kabineti, duke formuar një të ri Esad Pasha dhe të kërkoj Princin që të vinj një orë e më parë, po thotë se këto kërkime (kërkesa, shënimi ynë), nuk munt të mbushen kurrë me qenë që kryeqyteti do të zgjidhet më vonë, si të vinjë Komisioni Ndërkombëtar dhe Qeveria nuk munt të ndërrohet pa ardhur Princi, me qenë që Qeveria e përtanishme është zgjedhur nga kombi edhe kombi ka besim të plotë gjer të organizohet Shqipëria. Gjindja bashkohet duke bërtitur rroftë Qeveria!

Poshtë klika tradhëtore e Durrësit! Pas zotit Ibrahim, mori fjalën Mihal Gramenoja, i cili thotë që vetëm zemër Shqiptari nuk munt të ketë klika e Tiranës, e cila përpiqet që të turbullojë vëndin me qëllimet antipatriotike. Të këtillë njerz janë armiqtë e kombit, të cilat janë të huajt, se tjatër soj nuk munt të kërkojnë gjëra pa arsye, kur sot Shqipëria ndodhet në rrezik edhe ndodhet e shkelur nga armiqtë. Edhe për të provuar gjishtin e huaj, thotë që kjo klikë punon nën urdhrin e Dhespotit të Durrësit, i cili është një grek edhe vetëm të mirën e Shqipërisë nuku do.

Mbaron duke thënë që shkuan ato kohra kur aventurierët dhe gënjeshtarët hiqnin për hunde popullin, se sot populli u zgjua dhe do të mprojë atdhenë nga çdo rrezik dhe nga çdo tradhëtor, andaj bën thirrje për bashkim, se populli është shpresa dhe shtylla e një kombi, e jo dy tri veta të liq që me titullin duan të mbretërojnë e të turbullojnë qetësinë. Pas zotit Grameno e merr fjalën Jan Minga, i cili me një fjalë patriotike dhe të nxehtë i drejtohet popullit duke i thënë:

“Popull, tynë që të kanë lënë të varfër, zgjohu. Zgjohu popull nga gjumi, se ata njerëz të ligj kërkojnë e paskëtaj të shesin lëkurën në treg. Bashkohuni rreth flamurit të shenjtë dhe betohuni që do të vdisni për këtë flamur, i cili pas 500 vjet u ngrit me kaq mundime dhe kaq rreziqe. Protestoni kundër atyre tradhëtorëve që kurrë s’kanë pasur dhembsuri për atdhe po përkundrazi e kanë shkelur me këmbë. Sot kur ndodhet Shqipëria në rrezik, duhet të jemi gati për të dhënë shpirtin t’onë e ta ndihmojmë Qeverinë, për shpëtimin e atdheut!

Të gjithë të bërtasim me këto fjalë që jemi gati kur të na urdhëronjë Qeveria. Pas zotit Minga e mori fjalën Z. Mustafa Hilmi, i cili me një talent oratorik numëron qëllimet e liga që dëshirojnë tradhëtorët e Durrësit. Jo dashuria e atdheut po liqësia e shpuri klikën e Tiranës të bënjë turbullime për të mbushur qëllimet e liga që ka, po sot kombi nuk bëhet vegël e disa tradhëtorëve edhe gjakpirsëvet! Nuk jam anëtar i Qeverisë së sotme, thotë, mundet jam edhe kundra, po jo sot kur Shqipëria është në rrezik dhe gjysma e shkelur po kur të vinjë dita e bukur që të rregullohet Shqipëria, ahere munt të kërkojmë të ndërruarit e kabinetit.

Ajy quhet tradhëtor, i cili nuk vjen sot sot t’i unjet flamurit shenjtë e të ndihmojë Qeverinë për shpëtimin e atdheut ndaj, bën, thirrje në bashkim kundra tradhëtorëve dhe gjakpirësvet. Të gjithë bërtasin rroftë Qeveria, poshtë tradhëtorët! Si mbaruan fjalët, i epët leje komisionit që të lajmërojë gjithë Shqipërinë, për bashkim kundra çdo rreziku edhe duke kënduar”Flamurit pranë të bashkuara”, u përndanë në qetësi.

Ajo ditë kaq e pritur dhe e dëshiruar nga Shqiptarët, që të shohin ëndrrën të mbushur, ardhi, se Shqipëria u lirua edhe për së shpejti do të numërohet Shtet, po Shqyptarët ku janë? Ku janë ata Zotërinj që digjeshin dhe përvëloheshin për lirin e Shqipërisë? Ku janë gjith ata që nuk mundnin të çfaqnin atdhetarinë dhe të ndihmonin të mjerën Shqipëri nga frika e qeverisë turke? Sot më nuk kanë të qahen as nga një anë se ardhi ditë që të dëftejnë patriotizmin pa ndonjë pengim dhe frikë? Sot është dita për cilindo shqiptar që të dëftenjë atdhetësinë, duke ndihmuar të mjerën Shqipëri kush me mëndje, kush me dituri, kush me të holla, e kush me fuqi, se për cilin do ka nevojë atdheu që t’a ndihmojë. Po mjerisht shqiptarë nuku ka!

Ajo ditë ardhi që të n’a xbulonjë pëlhurën e të na tregonjë lakuriq siç jemi, të na dëftenjë që kurrë s’kemi patur dhemburi për atdhe dhe të gjitha ishin fjalë të kota e të rema! E vërteta kjo është, pa le të n’a duken të hidhura dhe të tharta. Koha n’a e tregoji të gjitha, andaj s’kemi për se të turpërohemi. Po kur thomi se s’ka Shqiptarë, nuku përmëndim atë pakicë të vogël që ndodhet në mërgim, nuku munt të harojmë opingën shkretë (ka kuptimin e fshatarësisë patriote, shënimi ynë), që zuri të zgjohet nga gjumi, edhe nuku munt të mohojmë ata të paktë atdhetarë që përpiqen dhe duan të punojnë. Fjala është e shumicës dhe për ata që mundin të shërbejnë e të ndihmojnë atdhenë, po jo vetëm që nuku duan, por përkundrazi, përpiqen që ta ç’farosën nga faqja e dheut! Edhe të këtillët as që kuqen kur thonë që duan të mirën e Shqipërisë.

Kur sot Shqipërinë e krijoji dhe liroji Evropa, tregohen kësisoj, po sikur të ishte që ta lironin vetë, duke derdhur gjakun, ç’kërkime (kërkesa, shënimi ynë), mund të kishin? Pa dyshim që as nuku do të mundësh të hapësh gojën të thoshe gjësendi se të priste e zeza! Atëhere me fjalë Shqipëria duheshe çiflig i Zotërisë së tyre dhe t’a përdornin si t’ua kish ënda! Për shembull, do marrim dy tejshkrime që ju dërguan Qeverisë së Vlorës, nga Tirana, dhe Durrësi, edhe me një fjalë të bëhet diktator Esat Pasha!

Ja ku qenkan mbledhur shqiptarët atdhetarë, mundet dhe të zjarrtë, të cilët nuku i zë gjumi dit e natë për të mirën e Shqipërisë! Po mirë o Zotërinj, qysh nuku u vjen rëndë nga kërkimet t’uaja? Përse nuku mendoji pak që qëllimet edhe veprat t’uaja janë antipatriotike, duke sjellë dëm atdheut? Mos pandehni që jam anëtar i Qeverisë së Vlorës, po jam anëtar i së vërtetës edhe si atdhetar do mpronj Shqipërinë. Cili do Shqiptar atdhetar do mpronjë Qeverinë e Vlorës edhe do ta nderonjë, me qenë që ajo punon për të mirën e Shqipërisë.

Mihal Grameno: Esat, kini kohë të hiqni dorë nga tradhtia

Në letrën e tij të hapur dërguar në adresë të Esat Pashë Toptanit, e cila asokohe u botua nga gazeta “Përlindja e Shqipniës”, nën titullin “Kini kohë”, patrioti i famshëm, Mihal Grameno, i shkruante: “Pasha, kur gjithë Shqipëria u shkel nga armiqtë e kombit t’onë. Shqiptarët nuk humbën shpresën e guximin për të mos poshtëruar para atyrevet që pa ndonjë kundërshtim shkelët atdhenë. Edhe ketë e detyrojmë në luftëtarët Shqiptarë të Shkodrës, të cilët luftonin dhe luftuan gjer në funt burrërrisht nënë kumandë të Zotërisë sate.

Nuk e dini Pasha me sa gëzim, me sa zemër edhe me sa lutje në qiell, luteshin tek i madhi Zot për juve dhe për ushtarët që komandonit. Për çdo Shqiptar ju kishit mbetur e vetmja shpresë për kombin, andaj besonin që Shkodra ishte e vetmja në duheshe të rronjë një Shqipëri, ose ishte e dënuar të vdesë. Të lumtur pra provuat që Shqipëria duhet të rronjë. Luftove Pasha me dragonjtë e Shqipërisë, u dhe dërmën anmiqëvet dhe nderove kombin tenët, nderove Shqipërinë dhe nderove emrin e Skënderbeut! M’i madh pagim për një luftëtar, as që munt të bëhet edhe as që është bërë kurrë!

Vërtet Shqipëria nuku mundi t’u kurorzonjë me kurorën e artë, nga shkaku që ishte e shkelur nga armiqtë, po ajo e ruante atë kurorë dhe, kur të vinte ajo ditë e lumtur, do t’u kurorëzonte si duheshe, duke thënë gjithë Shqipërisë, cili është Esat Pashë Toptani! Pasha, dridhem nga turpi dhe do të dridhem gjith bijtë e Shqipërisë paskëtaj, po të jetë vërtetë që kërkoni të shkelni me këmbë fitimet e mëdha që munt t’i fitoni në luftë. Dridhen dhe do të dridhen të gjithë Shqiptarët, kur të mësojnë vërtet që Esad Pasha, pas këtij nderi të math, u tregua armik i Shqipërisë, duke dëshiruar humbjen e saj. Mendohuni Pasha se është e kotë.

Nuk do t’u kujtojmë gabimet e pandiera, po të shkuarat, po do t’u kujtojmë sa gabime bëni sot, kur Shqipëria nuku është kufizuar dhe ndodhet në më të madhin rrezik, duke kërkuar të sillni grindje dhe përçarje. Shqipëria u emërojti Ministër të Brendshëm, megjithë që të ish tjatër, nuk e pranonte për nder të trimërisë, duke ndejur larg luftës politike, po Z. Juaj pas shumë të vërtitura e pranuat dhe muart frenë në dorë. Gjithë Shqipëria u gëzua duke besuar që edhe Shqiptarët kryetarë, dinë të apin dorën, përpara rrezikut të atdheut dhe çdo re nuk mund të trubullojë qiellin. Besuan Shqiptarët që Esad Pashë Toptani është bir i Shqipërisë edhe ay i vërteti, domethënë kushëriri i Refik beut edhe i Mazar beut edhe i Abdi beut Toptanit, po mjerisht u gënjye ose e gënjyen! I shkeli me këmbë të gjitha ato nderime, të cilat as me gjysmën e kësaj bote nuk fitohen!

Pasha, Shqipëria kurrë nuk munt të harrojë shërbimet e nderimet që i dhatë Juve, në qoftë se do të pendohi për udhën e shtrembër q’u kanë shtenë, andaj, nderi i Zotërisë Juaj, kërkon që të qëndroni atje ku kombi u nderoji, se tjatërsoj do të turpërohi! Mos dëgjoni Pasha egoistët dhe gënjeshtarët, mos dëgjoni armiqtë e kombit, po dëgjoni zërin e atdheut që ndodhet në rrezik! Nderi yt Pasha, e kërkon këtë që të mos turpërosh emrin dhe oxhakun tënd! Pasha, tinë e din fort mirë që Shqipëria do të bëhet domosdo, po mos u bëj shkak të nxish emrin!

Shqipëria Pasha do të bëhet për Shqiptarët gjithë, të Krishterë dhe Muhamedanë, edhe e di fort bukur, që s’bëhet Turqi e vogël, andaj ta kesh për detyrë t’u tregosh të tjerëve që duhet të bëhen Shqiptarë e të duan Shqipërinë, e jo siç tregoji armiku i saj. Miqtë q’u rrethojnë do të kishin për shembull po të qëndronin kundra armiqve, Serbë dhe Grekë, që na turpëruan dhe na rrahnë si gomarët, po për fat të zi atë trimëri, që të mos thomi djallëzi, e përdorin për kombin e vet! Mos dëgjoni Pasha ata që kurrë s’janë menduar për të mirën e atdheut, po vetëm për veten e tyre, se ata nuk dinë ç’është atdhe! Mbaronj Pasha, duke u lutur të pendoni sa kini kohë!

Vlorë

Mihal Grameno

Letra e një grupi të rinjsh patriotë të mbledhur në Vlorë: “Esat, mos e turbullo qetësinë e Shqipërisë”

Përveç letrës së hapur të dërguar nga patrioti i famshëm, Mihal Gremeno, në adresë të pashait Toptanas, u dërguan edhe disa letra të tjera të nënshkruara nga grupe të ndryshme patriotësh. Një prej tyre ishte dhe ajo e një grupi të rinjsh patriotë nga qyteti i Vlorës, në të cilën shkruhet:

Esad Pashës në Durrës.

Ne Shqiptarët e rinj që kemi qenë studentë nëpër universitete të ndryshme, me një za që na del nga të thellit shpirt po të themi: Ne je Shqiptar me ndjenja, në dëshiron gjallimin e kombit dhe atdheut të shenjte që me një tok mundime mund të mbetet sa një grusht, në doni që të mos humbasë përjetë, nga udha që kini zënë të mërgohi. Qeverria e Vlorës, edhe në qoftë se ka bërë ca gabime, pa asnjë farë rëndësie, sot, në këtë kohë që po ndahen kufijtë e Shqipërisë, s’duhet të kundërshtoheni duke marrë flamurin kundërshtar dhe të trumbulloni qetësinë e cila, Shqipërinë, munt ta hedhë në më të keqin rrezik. Këtë guxim s’munt t’a ketë një Shqiptar atdhetar përveç atyre që dëshirojnë fitime të veçanta. Pra, na, djemuria që jemi mbledhur këtu në Vlorë për të siguruar mbrothësinë e përparimin e kombit, këtë udhën t’uaj s’ua pranojmë, po u protestojmë me mish e me shpirt, dhe atyre që guxojnë të sjellin të këtilla grindje, në këtë kohë kaq të rrezikshme, duke u dhënë emrin tradhëtor të kombit, për jetë i mallkojmë.

Haki Glina, Hiqmet Sali Delvina, Ymer Lytfi, Demir Selenica, Bahri Ommar, Bajram Iljaz, Azmi, Ali, Mihal Cami, Kol Tromara, Thodhor Koti, Leonidha Frashëri, Vasil Pepo-Korça, Thoma Berati, Agostin Vangjel, Ismet, Ibrahim Shyti Vlora, Musa Qazim, Qemal Kolonja, Ibrahim Naxhi Shkupi, Hasan, Mustafa, Fuat Preveza, Xhevad Janina, Hysamedin Janina.

---- ---- ----
-----