Ballina Lajme nacionale Letra e Kurtit për kufijtë/ Thaçi dhe Mustafa reagojnë: SHBA e njeh...

Letra e Kurtit për kufijtë/ Thaçi dhe Mustafa reagojnë: SHBA e njeh mirë realitetin në Kosovë

96
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kanë një qëndrim të njëjtë në lidhje me letrën që kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti i dërgoi zëvendëspresidentit të SHBA-së, Mike Pence.  Sipas tyre, drejtuesit amerikanë e dinë të vërtetën dhe realitetin në Kosovë.

Ditën e djeshme, zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, njoftoi përmes një postimi në Facebook se në letrën e dërguar, Kurti ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e presidentit Thaçi për shkëmbim territorial.

“Sa i përket letrave që theksuat unë nuk jam duke lexuar nuk i kam pasur nëpër duart e mia është e lirë që t’i shkruaj kujtdo çka do nuk e kam ndermen të merrem me këto letra, SHBA e njohin realitetin në Kosovë shumë mirë, dhe të gjithë të tjerët”, tha Thaçi gjatë një konference për shtyp ditën e sotme.

Ndërkohë kreu i LDK-së Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook shkroi se askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës, pasi kjo çështje, është në përgjegjësinë e Kosovës.

”Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.

Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës”.

-----