Ballina Lajme nacionale LDK refuzon thirrjet e Vetëvendosjes për koalicion, garon në zgjedhje e vetme

LDK refuzon thirrjet e Vetëvendosjes për koalicion, garon në zgjedhje e vetme

5
SHPËRNDAJE

LDK po i refuzon thirrjet e Vetëvendosjes për koalicion pasi po synon të garojë e vetme në zgjedhje.

Pavarësisht se akoma nuk janë deklaruar rreth kandidatit të tyre për kryeministër, LDK-ja do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme.
Më 22 gusht do të mbahet seancë për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe pas kësaj do të mësohet edhe zyrtarisht data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Pavarësisht se ende nuk dihet data zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po synon që në këtë garë politike të hyjë e vetme.

Madje në disa deklarime zyrtarë të këtij subjekti politik janë shprehur të bindur se do të dalin fitues të këtyre zgjedhjeve.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë për lajmi.net, se subjekti të cilit i takon ende zyrtarisht nuk ka një kandidat për kryeministër mirëpo që ka filluar përgatitjet në terren.

Gaxherri ka thënë se LDK-ja është partia më e vjetër jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe se kjo ka bërë që ky subjekt politik të mos ketë probleme në struktura dhe në këtë mënyrë LDK-ja siç u shpreh ajo, nuk ka se çfarë skandale të përmirësojë.

“Natyrisht LDK-ja ka qenë në një proces zgjedhor dhe ju ka dashtë një kohë edhe i duhet edhe sa kohë. Por ne pikërisht dje kemi mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm, aty kemi diskutuar për programin, shtrirjen në të gjitha degët që nga sot kemi filluar në aspektin teknik me i përgatit të gjitha zgjedhjet. Çështjen e kryeministrit ende nuk kemi diskutuar sepse kemi konstatuar që ka kohë për këtë çështje”, deklaroi Gaxherri për lajmi.net.

Pavarësisht kësaj, Gaxherri ka thënë se LDK-ja do të bëjë garë e fushatë që të rrisin votën në disa degë.

“Ne do të bëjmë garë ose fushatë e përpjekje që ta rrisim votën në disa degë ku jemi më dobët, por kemi edhe degë të cilat i kemi të parat. Do me thënë LDK-ja prin për komunat që ka më shumë në nivel Kosove, por megjithatë ka hapësirë që në ato degë ku jemi më dobët të punojmë më shumë dhe prapë do të varet nga strukturat e asaj dege por edhe ne tash do të jemi në mbështetje të tyre edhe kështu që konsideroj që kjo është një herë për një herë deri në datën 22. Me datën 22 do të shpërbëhet Kuvendi qysh ne mendojmë, nënshkrimet tashmë vetëm se i kemi deponuar edhe presim që të caktohet data e zgjedhjeve dhe ta dimë përfundimisht se sa ditë do të kemi kohë për fushatë zyrtare”, u shpreh Gaxherri për lajmi.net.

Tutje ajo ka thënë se në këto zgjedhje LDK-ja do të hyjë e vetme dhe nuk do të bëj koalicion me asnjë parti.

Madje Gaxherri i ka këshilluar të gjitha partitë e mëdha që në këto zgjedhje të parakohshme të hyjnë të vetme dhe të mos bëjnë koalicion mes vete.

Sipas Gaxherrit, këto zgjedhje janë edhe një lloj referendumi mirëpo, ajo nuk i ka përjashtuar koalicionet paszgjedhore, kështu duke mos vënë vija të kuqe me ndonjë parti.

“LDK-ja parapëlqen të hyjë e vetme në zgjedhje dhe i këshillon sidomos partitë e mëdha që të hyjnë veçmas në garë sepse aty do ta marrin besimin se kush duhet ta udhëheq Kosovën, cili subjekt politik duhet ta mbajë përgjegjësinë e proceseve shumë të rëndësishme që do të vijnë e sidomos dialogu me Serbinë. Konsideroj se këto zgjedhje janë një lloj referendumi me të cilin të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të japin votën për bisedimet edhe për mos prekjen e territorit të Republikës së Kosovës dhe kështu me radhë, problemet të cilat na ka shkaktuar presidenti kohët e fundit. Dhe prandaj konsiderojmë si LDK që duhet së paku katër parti të shkojnë të vetme dhe ta shohin fuqinë politike dhe pastaj pas zgjedhjeve mund të bëjmë koalicione dhe varet sa do të mund të harmonizojmë programet edhe pastaj edhe prapë proceset e rëndësishme për vendin”, deklaroi Gaxherri për lajmi.net.

-----