Ballina Lajme nacionale LDK-ja bllokon Vetëvendosjen, Haziri: Nuk e votojmë qeverinë e pakicës

LDK-ja bllokon Vetëvendosjen, Haziri: Nuk e votojmë qeverinë e pakicës

20
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri foli pas mbledhjes së kryesisë së partisë, nuk përjashtoi mundësinë e takimeve të tjera me Vetëvendosjen, në përpjekje për arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes.

“Po bëjmë përpjekje që sot, nesër dhe pasnesër t’i realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në përcaktimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese. Roli i LDK-së, është i fokusuar në përgjegjësitë në këtë fazë, që lidhen me Kuvendin e Republikës”, tha ai.

Ai u shpreh se diskutimet do të shkojnë deri në shterimin e mundësive për arritjen e një marrëveshje me LVV-në. Haziri theksoi se deri tani ka pasur dy takime të fshehta, ndërsa shtoi se LDK-ja, qe duket se nuk po lëshon pe tek posti I kryetarit të Parlamentit, nuk do ta votojë qeverinë e pakicës.

Parimi është që LDK-ja të udhëheqë legjislativin, e partia tjetër, ekzekutivin. Të njëjtin pohim bëri më herët dhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se nuk do ta votojë të hënën qeverinë Kurti, dhe në asnjë variant nuk ka për të qenë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm të Kosovës.