Ballina Lajme nacionale LDK injoron Kurtin, thonë se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje

LDK injoron Kurtin, thonë se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje

6
SHPËRNDAJE

Zyrtarë nga LDK thonë se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk po heq dorë nga thirrjet ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion parazgjedhor.

Përveç deklaratave të mëhershme, një konference për media dhe thirrjeve të deputetëve të Vetëvendosjes, lideri i kësaj partie, Albin Kurti edhe sot i ka bërë thirrje LDK-së për koalicion.

Kjo thirrje e Kurtit vjen pas refuzimeve të njëpasnjëshme të LDK-së për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor.

Se LDK preferon të shkojë e vetme në zgjedhje, javë më parë për lajmi.net e kishte thënë zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

E Albin Kurti sot nëpërmjet një statusi në Facebook është shprehur se “fitorja mund të vijë edhe para zgjedhjeve të parakohshme”.

Kjo sipas tij mund të ndodh nëse bëhet një koalicion parazgjedhor i partive të cilat në qeverisjen e Haradinajt ishin në opozitë, pra LDK, VV e PSD.

Deklarata e Kurtit vjen pas asaj të Mustafës në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së ku bëri thirrje për të gjitha partitë të garojnë të vetme në zgjedhje, duke hedhur kështu poshtë mundësinë e një koalicioni parazgjedhor.

Si pjesë të ftesës për “koalicionin opozitar”, Vetëvendosje e ka edhe pozitën e kryeministrit për të parin e partisë, Albin Kurti, kërkesë kjo, e papranueshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, për lajmi.net sot tha edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Ai tha se atmosfera në LDK është të shkohet vetëm në zgjedhje.

“Mund të jap qëndrimet se LDK ka qëndrim të shkojë e vetme në zgjedhje, por sigurisht që do të përcjellim lëvizjet brenda strukturave politike të tjera”, tha Kelmendi për lajmi.net.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla sot ka kërcënuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, se nëse nuk ia japin kryeministrin Albin Kurtit, Vetëvendosje do t’i fitojë zgjedhjet e vetme.

Para dhe pas dorëheqjes së Haradinajt kishte përafrim të qëndrimeve midis LDK-së dhe Vetëvendosjes, por tani çdo hap dërgon më larg një koalicioni të mundshëm.

Problem për këtë koalicion është pozita e kryeministrit – për të cilën dy subjektet politike në fjalë nuk bëjnë asnjë kompromis.

Lexo po ashtu:

Lutjet publike të Vetëvendosjes për koalicion parazgjedhor s’i bëjnë përshtypje LDK-së

Në njërën anë, dihet se Albin Kurti do të jetë kandidat për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në LDK edhe pse jo zyrtarisht, deputetja Vjosa Osmani ka filluar fushatën.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh deri dhe pas 22 gushtit – data e cila është caktuar për shpërbërjen e Kuvendit gjë që do të çoi edhe në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në një periudhë kohore prej 30 deri në 45 ditë.

-----