Ballina Lajme nacionale LDK e bindur në shkarkimin e Kurtit, kërkon një qeveri të përkohshme

LDK e bindur në shkarkimin e Kurtit, kërkon një qeveri të përkohshme

35
SHPËRNDAJE

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përgatitur mocionin për rrëzim të qeverisë në krye me Albin Kurtin. Tashmë, u duhet vetëm që të sigurojnë 61 vota. Partia e Isa Mustafës me anë të këtij mocioni nuk po tenton vetëm rrëzimin e qeverisë Kurti nga pushteti ku janë edhe vetë pjesëmarrës, por edhe kanë propozuar që të formojnë një qeveri të re të stabilitetit.

Kjo sipas Lidhjes Demokratike, me argumentin se Kosova gjendet në një situatë emergjente. “Duke ritheksuar problematikën e rëndësisë strategjike – veçanërisht në kontekstin aktual – të partneritetit me SHBA-të dhe BE-në drejt integrimeve euro-atlantike, si dhe sigurisë kombëtare, në situatën emergjente në të cilën ndodhemi, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që përmes votës së mosbesimit të votojnë këtë mocion.

Me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë e formimit të një qeverie të stabilitetit, me kohëzgjatje të kufizuar, e cila do të adresonte sfidat imediate me të cilat ballafaqohet vendi, si në pozicionin e politikës së jashtme, ashtu edhe në dinamikat e krijuar brenda vendit”, shkruhet në dokument.

Në mocionin e LDK-së, shkruhet se kryeministrit Albin Kurti në më pak se 50 ditë përmes mosveprimit dhe pozicionit jokonstruktiv në raport me partnerët strategjik në përgjithësi dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti, ka pamundësuar funksionimin e saj.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmendur sanksionet amerikane ndaj vendit, shkaku i mos heqjes së tarifës. Partia e udhëhequr nga Isa Mustafa e akuzon Albin Kurtin për krizë të brendshme politike në vend.

-----