Ballina Sport Lala: Rashica sezonin tjetër luan në Champions, Taren e kam mik por…

Lala: Rashica sezonin tjetër luan në Champions, Taren e kam mik por…

44
SHPËRNDAJE

Milot Rashicën në të ardhmen do ta shikojmë në një skuadër që rregullisht luan në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit për klube, Ligën e Kampioneve. Menaxheri i tij, Altin Lala, tha se ylli i Kosovës do të largohet nga Werder Bremeni në merkaton e verës.

“Po do të largohet, natyrisht se po. Werderi ishte ekipi i duhur për Milotin dhe disi më vjen keq që këtë vit ndodhet në vështirësi, por futbolli i ka këto luhatje. Mendoj se ishte klubi i duhur dhe tani ka ardhur koha për një hap tjetër në karrierë. Mendoj se nuk ka mbaruar zhvillimi i Milotit si futbollist dhe besoj që mund të bëjë edhe më shumë në një klub që është i përshtatshëm për stilin e tij të lojës e ku do të mund të tregonte vlerat e tij si lojtar sulmues”, tha Lala.

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, ka konfirmuar se ka shume klube të interesuara për Rashicën.

“Kemi pasur kontakte me shumë klube. Ka shumë klube të interesuara për të marrë kartonin e Milotit për sezonin tjetër. Por, për momentin, natyrisht është e pezulluar për shkak të virusit. Shpresojmë që në sezonin tjetër, Miloti të ketë mundësinë të luajë në Ligën e Kampionëve. Ka pasur skuadra shumë interesante që janë interesuar për Milotin, të cilat vazhdimisht luajnë në Ligën e Kampionëve dhe janë të përshtatshme për Milotin.

Lazio? Klubi italian do të mund të bënte lëvizjen për Rashicën edhe më herët. Por, Lazio tani nuk është në mesin e klubeve kandidate për Rashicën. Pavarësisht që Igli Taren e kam mik dhe e vlerësoj shumë, po ashtu edhe punën e tij, por për momentin nuk luan punë këtu miqësia, por e ardhmja e Milotit. Lazio ka pasur një sezon shumë të mirë. Iglit i uroj shumë fat në punën e tij”, tha ish-mesfushori i Hannoverit.

Kampionët e Evropës, Liverpooli është përmendur si klub tjetër i interesuar për transferimin e Rashicës.

-----