Ballina Sport Laçi zhyt në krizë Kukësi, Tirana harron të fitojë. Paqe mes Kastriotit...

Laçi zhyt në krizë Kukësi, Tirana harron të fitojë. Paqe mes Kastriotit dhe Skënderbeut

12
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Përfundojnë tre ndeshjet e orës 13:30 në Kategorinë Superiore. Laçi zhvilloi një ndeshje shumë pozitive në shtëpi përballë Kukësit, takim që e fitoi 3-2. Bardhezinjtë dominuan kundërshtarin në derbin e Veriut dhe siguruan tre pikë të rëndësishme, duke u ngjitur në vend të dytë me 20 pikë, po aq sa numëron edhe Teuta.

Emiljano Musta zhbllokoi takimin në minutën e 12-të, teksa çerek ore më vonë erdhi edhe goli i Van Dave. Kundërsulm perfekt i vendasve dhe parabolë shumë e bukur e sulmuesit afrikan të bardhezinjve. Ekipi i Duros e nisi mirë edhe fraksionin e dytë të ndeshjes.

Regi Lushkja, autori i asistit të golit të parë, dhuroi një tjetër pasim të saktë dhe Redon Xhixha dërgoi topin në rrjetë. 3-0 për Laçin dhe ndeshja e përfunduar. Gjithsesi, minuta e 64-t solli një penallti për skuadrën e Rrahman Hallaçit.

Agim Ibraimi nuk gaboi përballë Sherrit. Emiljano Musta mori kartonin e dytë të verdhë në minutat e fundit pas një faulli ndaj portierit kundërshtar dhe u largua me të kuqe (2 të verdha). Kukësi fitoi një tjetër penallti në minutën e tretë shtesë. Eze dërgoi topin në rrjetë, por nuk pati më kohë dhe në fund Laçi festoi suksesin e parë për vitin 2021.

Nuk ka gola dhe fitues në Ballsh, aty ku u përballën Bylis dhe Tirana. Kampionët në fuqi e nisën mirë takimin dhe ushtruan presion për 20 minutat e para. Më pas erdhi reagimi i ekipit vendas, që e baraspeshoi lojën.

Gola nuk pati, teksa edhe pjesa e dytë pati duele të forta dhe raste për gol. Danso u ndëshkua me të kuqe në minutën e 74-t dhe bardheblutë luajtën me një lojtar më pak në çerekorëshin e fundit. Tirana përsëri u shfaq e rrezikshme, por sfida u mbyll në barazim dhe të dy ekipet ndanë nga një pikë.

Skënderbeu ishte shumë pranë triumfit në fushën e vështirë të Kastriotit në Kamzë, por në fund skuadra e Ndreut gjeti një gol në minutën e fundit dhe vulosi shifrat 2-2. Krutanët kaluan të parët në avantazh me Shkallën, por korçarët treguan karakter dhe përmbysën në pjesën e dytë me golat e Mensah dhe Kosta Vangjeli. Në fund Kastrioti sulmoi me gjithë forcat dhe mundi të gjejë golin e barazimit, duke shmangur humbjen.

---- ----
----
-----
-----