Ballina Shëndetësi Laboratori ‘Intermedica’ gati të nisë testimet për COVID-19, mjeku Llajo: Ja sa...

Laboratori ‘Intermedica’ gati të nisë testimet për COVID-19, mjeku Llajo: Ja sa mund të kushtojnë

87
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus është shoqëruar me një problematikë së fundmi, atë të testimit të qytetarëve. Deri tani, në Shqipëri, procesi i testimit po kryhet vetëm nga laboratori i Institutit të Shëndetit Publik, por kërkesat e larta për teste kalojnë mbi kapacitetet.

Së fundmi ISHP ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë të lejojë bërjen e testeve dhe në laboratorë privatë. Në një intervistë për Hapur.al, administratori i një prej laboratorëve më të njohur në vend, Intermedica, është shprehur se mund ta përballojnë fluksin e kërkesave pasi i ka kapacitetet si dhe plotëson kriteret e nevojshme. Më tej Dr.Vasil Llajo ka bërë të ditur edhe tarifën që duhet të paguajë individi që është i interesuar për të kryer këtë test në privat.

----

Intervista

Pyetje- Doktor Llajo, së fundmi ISHP, pas kërkesave të shumta, tashmë është dorëzuar dhe kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të lejojë bërjen e testeve dhe në laboratorë privatë. Ju jeni administrator i Intermedica një ndër laboratorët më të mëdhenj në vend. A mundet privati në Shqipëri ta kryejë këtë funksion?

Vasil Llajo-Disa Laboratorë Privat në Shqipëri kanë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe tekniko – mjekësore për të kryer ekzaminimet e diagnozës dhe gjurmimit të Koronavirusit SARS CoV-2 me metodën PCR duke marrë materialin me tampon nga sekrecionet e farinksit. Kjo metodë tregon prezencen e virusit në organizëm në momentin e marrjes së mostrës. ( Jo të gjitha laboratorët munden)

Së dyti, laboratorët privat kanë gjithashtu kapacitetet e nevojshme për testime serologjike  me metodën e Elisa ose Chemiluminesence.

Detektimi i prezencës së antikorperve ndaj virusit tregon se personi ka qenë në kontakt me të, ( mund të ketë qenë simptomatik ose asimptomatik). Mostra është gjak.

A i kanë kapacitetet laboratorët privatë për të përballuar fluksin e kërkesave?

Vasil Llajo-Mendoj se laboratorët privat që kanë kryer dhe me parë se pandemia ekzaminime me metodën e PCR, kanë kapacitetet për të përballuar fluksin e kërkesave.

Sa mund të jetë i besueshëm një laborator privat për përgjigjet e analizave kur dihet që ky është një biznes tashmë ?

Vasil Llajo-Besueshmeria e laboratorëve është problemi dhe sfida e kohës.Diferencohen në qoftë se janë të akredituar me ISO 15189.

Sa mund të përllogaritet kostoja e testimit?

Vasil Llajo-Kostoja e testimit me PCR mund të përllogaritet afërsisht 150-160€. Kostoja e testimit me serologji për çdo antikorp afërsisht 4000-5000 lekë të reja.Praktika e deritanishme ka treguar se është e mjaftueshme IgG ( nje lloj antikorpi).

Cila është eksperienca e vendeve të tjera?

Vasil Llajo-Eksperienca e vendeve të tjera është testimi publik dhe ai privat kanë ecur paralel dhe në të njëjtën kohë. Privati duhet të plotësojë patjetër kriterin e akreditimit dhe kushtet e mbrojtjes së personelit sipas udhëzimeve të OBSH “UN 3373 Biological Substance Category B” për marrjen dhe transportin e mostrës.

A është gati Intermedica për të filluar testimin nëse qeveria merr vendimin për ta hapur edhe tek privati këtë procedurë?

Vasil Llajo-Intermedica është e gatshme të fillojë dhe të përballojë fluksin e kërkesave për të testuar koronavirusin SARS CoV -2 si me PCR ( tampon) si dhe me serologji ( antikorpe).

----- ----