Ballina Lajme nacionale Kurti thotë se Haradinaj e Thaçi duhet të shkojnë në shtëpi pas...

Kurti thotë se Haradinaj e Thaçi duhet të shkojnë në shtëpi pas aktgjykimit të Kushtetutës

14
SHPËRNDAJE

Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses duhet t’i çojë në shtëpi Ramush Haradinajn e Hashim Thaçin.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akt-vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth Ligjit për dialogun me Serbinë, e ka quajtur vendim që akuzon koalicionin qeverisës për “tentim puçi ndaj republikës dhe rregullimit të brendshëm të saj”.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese publikuar më 27 qershor 2019, me vendim unanim, e shpartalloi manovrimin e kryeministrit dhe arbitraritetin e presidentit. I nxori që të dy antikushtetues. Ligji i tyre special ka rënë në përmbajtje. PAN-i me gjithë patericën e vet ka ndërhyrë në hierarkinë dhe në kompetencat institucionale. Ka sulmuar rendin republikan dhe frymën demokratike të shtetit. Kjo është shumë e rëndë. Andaj, si kryeministri, ashtu edhe presidenti, duhet të japin dorëheqje. Gjykata Kushtetuese praktikisht i akuzon të gjithë ‘specialcat’ e ligjit për dialog me Serbinë për tentim puçi ndaj republikës dhe rregullimit të brendshëm të saj”, thotë Kurti në një postim.

Ai thotë se “së paku 9 paragrafë të 5 neneve të Kushtetutës i kanë shkelur Thaçi e Haradinaj si dhe delegacioni i tyre ‘shtetëror’ e deputetët e tyre votues: paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë] dhe paragrafin 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit]”.

“Pra, kanë shkelur formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit dhe vlerat e shtetit, si dhe kanë shkelur kompetencat e kuvendit, të qeverisë e të kryeministrit”, deklaroi Kurti.

Ai ka kujtuar se si gjatë këtij viti, në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së, me 6 e 7 mars, “PAN-i dhe paterica e tyre në Kuvend, vraponin nga komisioni në komision, nga deputeti në deputet, për ta kaluar ligjin special të tyre për dialog me Serbinë. E gjithë kjo nëpërmjet seancës së jashtëzakonshme, në dy lexime shpejt e shpejt që nuk e bënin as një të tillë tamam. Mirëpo, ja që e paskan shkelur fort e shumë Kushtetutën e Kosovës, ashtu siç kemi thënë ngahera ne të opozitës. Qysh me paragrafin e parë të nenit të parë të ligjit special të tyre e kanë shkelur Kushtetutën”.

Kreu i VV-së thotë se origjinën e kësaj shkeljeje duhet kërkuar te dy premisa politike të cilat duket t’i ketë pasur formimi i PAN-it në maj 2017. “E para: të bëhet ratifikimi i ‘demarkacionit’ me Malin e Zi. E dyta: dialogu me Serbinë t’i lihet presidentit. Këto dy kushte paraprake të Thaçit i ka pranuar Haradinaj”.

“I gjithë pështjellimi me ‘delegacionin shtetëror’ të PAN-it dhe ‘ligjin për dialog’ të tyre, ngjau për shkak se kryeministri nuk guxonte ta shkelte ujdinë me presidentin. Ai refuzoi ta votojë rezolutën e dy partive tona opozitare e cila e ndalte dhe ndalonte presidentin në aventurën e tij për pazare me Serbinë. Kjo është fjalia e 31 tetorit 2018 e mocionit tonë të cilën nuk e voton dot kryeministri: ‘Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës’”, u shpreh Kurti.

Sipas kreut të VV-së, “i vetëquajturi ‘delegacion shtetëror’ udhëtoi nja dy herë kot për Bruksel dhe nuk i ndalën takimet ‘sekrete’ me Serbinë as të Avni Arifit se lëre më të Hashim Thaçit. Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ishte veçse gozhdë në arkivolin e një delegacioni që do të kujtohet si ëndërr e keqe”.

“E sa për përbërjen e atij delegacioni – të mbushur me njerëz pa kredibilitet, legjitimitet, kompetencë e autoritet që përfunduan duke takuar këshilltarët e znj. Mogherini – nuk kemi humbur asgjë më shumë sesa një ‘freak show’. Nuk do të paguajmë më për ta parë dhe as nuk do ta shohim kurrë më”, u shpreh deputeti Albin Kurti.

Në fund, ai tha se Kosova duhet të orientohet në forcimin e shtetit, që do të thotë në luftimin e korrupsionit e të krimit, në zhvillimin e ekonomisë e të shoqërisë, pra, në drejtësi për qytetarët dhe në punësim të qytetarëve. “E për këtë, sikurse edhe për dialogun e ri e parimor me Serbinë, duhet të merremi vesh vetëm për datën e zgjedhjeve të reja, drejt qeverisë së re e të mirë, me kryeministër që merr përgjegjësi dhe nuk vjedh”, theksoi në fund të këtij shkrimin Albin Kurti.

-----