Ballina Lajme nacionale Kurti: Të ndalojmë përhapjen e pandemisë, krizës shëndetësore të mos t’ia shtojmë...

Kurti: Të ndalojmë përhapjen e pandemisë, krizës shëndetësore të mos t’ia shtojmë krizën politike

37
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se duhet punuar që pandemia e koronavirusit të mos lejohet të përhapet. Për këtë duhen marrë mësime nga shtetet e tjera. Kreu i qeverisë kosovare u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të pastër, në distancë me të tjerët dhe të qëndrojnë në shtëpi

“Ne kemi kaluar shumë kriza si popull, por kjo është një krizë me të cilën nuk jemi përballur ndonjëherë. Ne duhet ta mbajmë si gjendje dhe të mos lejojmë të kthehet në krizë të pakthyeshme. Ne shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë në ditët dhe javët në vijim, por siç kemi parë në vendet e zhvilluara, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet dhe ne duhet ta frenojmë”, tha ai në një konferencë shtypi.

Ai shtoi se nuk duhet të ndihemi të vetëkënaqur pse kemi shifra më të ulëta të të prekurve nga pandemia.

“Jemi para shirave të mëdha të përhapjes së koronavirusit në Evropë dhe nuk duhet të ndjemi të vetëkënaqur që nuk jemi në një fazë të tillë në Kosovë, sepse jemi vetëm në fazën e parë. Kujdesi nuk iu takon vetëm punonjësve të shëndetit publik dhe secili prej nesh duhet të kujdeset për vete dhe për të tjerët”.

Kurti kërkoi kujdes më të madh sidomos për moshat e treta, për të cilët thotë se janë më të rrezikuar.

Kreu i ekzekutivit tha se vështirësitë vetëm sa ia shtojnë vullnetin për punë, ndërkohë thotë se për bindjen e tij, kësaj krize me pandeminë të mos i shtohet edhe kriza politike.

“Unë po e theksoj atë që e përmenda në konferencën. Unë jam kryeministër me vullnet, me program me dije dhe me përvojë të gjatë politike. Jam njeri që s’ndalet para asnjë pengese, dhe vështirësitë vetëm sa ma shtojnë vullnetin për punë. Parashikimet i bëjnë analistët. Bindja ime është që kësaj krize shëndetësore nuk duhet t’ia shtojmë edhe krizën politike”.

-----