Ballina Lajme nacionale Kurti flet për përplasjen me Vuçiç, çfarë ndodhi në Mynih

Kurti flet për përplasjen me Vuçiç, çfarë ndodhi në Mynih

115
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih. Kurti theksoi për REL se nuk u takua tek për tek me presidentin serb.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiçin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh shefi i ekzekutivit Kosovar pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Diskutimi u zhvillua në margjinat e Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë, e cila i nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive. Kurti nuk dha detaje mbi debatin me dyer të mbyllura, duke respektuar kështu rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejon të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

Megjithatë, ai e pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët. “Vuçiç ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë.

Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, sqaroi kryeministri kosovar. Vuçic tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”. Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiç shtoi se ka luftuar për interesat e Serbisë. Edhe ai nuk nxori detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiç në të njëjtën tryezë.