Ballina Lajme nacionale Kurti e priste që qeveria e tij nuk do zgjaste: Hoti punonte...

Kurti e priste që qeveria e tij nuk do zgjaste: Hoti punonte kundër nesh

53
SHPËRNDAJE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se e priste që qeveria e tij të mos zgjaste. Ai ka qenë i vetëdijshëm se do të përballej me shumë probleme përveç vështirësive të zakonshme. Duke folur për rrethanat që sollën prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së tij, Albin Kurti tha se, e gjitha ishte një plan dhe shkarkimi i ministrit të Brendshëm ishte gjetje shkaku.

Ai deklaroi se ministri i LDK-së kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në një kohë kur nuk kishte asnjë viktimë nga koronavirus dhe kjo synonte që t’i kalonin kompetenca ekzekutive Presidentit Thaçi dhe madje të tentohej dhe ndonjë incident me Serbinë për t’i rifutur në lojë planin për marrëveshje për shkëmbim territoresh.

“Nëse nuk do të shkarkoja ish-ministrin do të bëja shkelje. Nuk bëra shkelje dhe e shkarkove. Besoj se nuk kam pasur rrugë tjetër dhe është një gjë që nuk jam penduar. Nuk ishte thjesht ai veprim sepse për një ministër nuk bie qeveri. Nuk ishte një ministër por ishte një plan. Nuk kishte rrethana për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme”, deklaroi Kurti për Euroneës Albania.

Duke folur për marrëdhëniet e tij me ish-zv/kryeministrin Avdullah Hoti, që tashmë është kandidati i LDK-së për t’u bërë kryeministër i qeverisë së re, kreu i VV-së tha se, ai punonte kundër qeverisë së tij dhe se e shkarkoi për shkak të ishte i vetmi që gjatë seancës për votimin e mocionit të mosbesimit që foli kundër qeverisë ku bënte pjesë.

“Hoti sillej sikur të kishte një kovë me rërë dhe ta hidhte në rrotat e qeverisë. Kam qenë korrekt me të kam bashkëpunuar sa më shumë që të mundej. Pas mocionit të besimit ishte i vetmi zyrtar i qeverisë që doli kundër qeverisë dhe ishte e pamundur që ta mbaja në qeveri ndaj dhe e lirova nga detyra. Ministrat e tjerë të LDK-së nuk e morën fjalën që të flasin kundër qeverisë ku bënin pjesë. Ishte i vetmi zv.kryeministër dhe nisi të funksionin si centrifugë e sulmeve të ndryshme”.

-----