Ballina Lajme nacionale Kurti-Brnabiç në Londër/ Kryeministrja serbe pret foton, Kurti e “injoron”

Kurti-Brnabiç në Londër/ Kryeministrja serbe pret foton, Kurti e “injoron”

181
SHPËRNDAJE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic, ka bërë disa postime në Twitter nga Londra, ku u mbajt Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor. Por ajo që ra në sy në njërin prej tyre ishte se shefja e ekzekutivit serb e kishte prerë foton në mënyrë të tillë që aty të mos shihej kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë Samitit, Kurti dhe Bërnabiç ishin ulur afër njëri-tjetrit dhe këtë e treguan fotot e publikuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kurti njoftoi disa ditë më parë se qeveria e Kosovës është duke punuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë tregtar me Serbinë. Por në një reagim në facebook, Albin Kurti ka injoruar kryeministren e Serbisë, duke mos e përmendur fare, edhe pse ishte ngjitur me të gjatë konferencës.

“Sot në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër pata rastin të takohem me udhëheqësit e saj dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht sot bëhen tri javë nga votimi në Kuvend i qeverisë sonë, dhe gëzohem që në këtë ditë pata rastin të flas për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjëve tanë sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit etj.

Punësimi e drejtësia në njërën anë, dhe Integrimi Evropian e anëtarësimi në NATO në anën tjetër, janë prioritetet tona si qeveri e re e Kosovës. Ne do t’i forcojmë qytetarët tanë ekonomikisht dhe do e përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë politikisht.

Tashmë me Republikën e Shqipërisë kemi 77 marrëveshjeve të arritura – do t’i shtojmë energji e dinamikë të re implementimit të tyre. Si Qeveri e Kosovës do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në projektet e interesit të përbashkët duke synuar edhe mbledhje të përbashkëta të qeverive me ta”, shkruan Albin Kurti pas takimit.