Ballina Lajme nacionale Kur mund të vijnë aktakuzat e para të Speciales? Flasin avokatët

Kur mund të vijnë aktakuzat e para të Speciales? Flasin avokatët

13
SHPËRNDAJE

Avokatët tregojnë kur mund të vijnë aktakuzat e para të Speciales.

Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj prejse në Kosovë kanë nisur të vijnë ftesat e para nga Gjykata Speciale. Përgjatë kësaj periudhe janë ftuar më shumë se 70 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u intervistuar, qoftë në cilësinë e dëshmitarit ose të dyshuarit.

I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar, në fillim të dhjetorit të vitit 2018, ishte Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit.

Ndërkohë gjatë javës që shkoi ftesë për intervistim mori edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili menjëherë pas kësaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Duke marrë parasysh të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me Gjykatën Speciale, avokati Tahir Rrecaj ka konsideruar se aktakuzat e para mund të ngrihen në vjeshtën e këtij viti.

“Besoj që aktakuzat mund të ngrihen diku nga vjeshta e këtij viti, sepse është një fazë shumë intensive e përfundimit të hetimeve nga ana e prokurorit të Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar Rrecaj për “Zërin”.

Rrecaj, i cili është avokat i pesë personave të dyshuar, ka thënë se ka të atillë persona që janë ftuar nga Gjykata, porse nuk duan ta bëjnë publik emrin e tyre. Në këtë drejtim ai ka bërë të ditur se vetëm njëri nga klientët e tij ka shprehur dëshirën të tregojë publikisht që është ftuar nga Specialja.

Sipas Artan Çerkinit, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, pesha e personave që janë ftuar së fundi nga kjo gjykatë ka bërë të mendohet se është intensifikuar puna e Speciales.

“Ndoshta vetë pesha e personave që kanë marrë ftesa kohët e fundit ka krijuar një perceptim se Prokuroria e Specializuar është më aktive. Në fakt Prokuroria ka qenë aktive qysh prej fillimit të vitit, vazhdimisht ka dërguar ftesa, por ndoshta po duket se është intensifikuar puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për shkak se kohët e fundit njerëzit me peshë shoqërore dhe politike në vend kanë marrë ftesa”, ka theksuar ai.
Por sipas Çerkinit zhvillimet e fundit nuk mund të konsiderohen indikacion për ngritjen e aktakuzave.

“Mendoj që ata janë duke e kryer punën e tyre duke u bazuar në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kjo për mua nuk është indikacion se shumë shpejt do të ngrihen aktakuzat, edhe pse kur do të ngrihen aktakuzat nuk e di askush, përveç Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka shtuar ai.

-----