Ballina Lajme nacionale Kur do të zgjidhet kryetari i ri i LDK-së?

Kur do të zgjidhet kryetari i ri i LDK-së?

14
SHPËRNDAJE

Ende nuk është zgjedhur kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja nuk e pati të lehtë procesin e zgjedhjeve të brendshme që u shoqërua disa herë me grushte e karrige.

Partia e Isa Mustafës, megjithatë, i ka edhe tetë sfida nëpër të cilat do të kalojë, e ku potencialisht mund të përsëritet skenari që qytetarët nuk e panë pak herë në këto muaj të zgjedhjeve.

Deri në ditën finale kur do të zgjidhet i pari i partisë, LDK’së i kanë mbetur edhe tetë degë ku do të vendosin për kryetarët. Për këtë temë ka folur sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri.

Pak ditë më parë, deputeti Anton Quni u zgjodh kryetar i LDK’së në Komunën e Prizrenit, e procesi u raportua se shkoi pa asnjë përleshje fizike, pasi këto u bënë shumë të përfolura në partinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Megjithatë, kjo parti, që ka hyrë në zgjedhje tash e sa muaj, nuk është ende gati për Kuvend Zgjedhor kur do të vendoset se kush do ta marrë në dorë partinë për katër vitet e ardhshme. Kjo pasi që kanë mbetur zgjedhjet edhe në disa degë.

Sekretari i përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka bërë të ditur se ende ka disa degë në të cilat nuk ka përfunduar procesi zgjedhor.

“Procesi ende nuk ka përfunduar në të gjitha degët e LDK’së. Posa të përfundon procesi edhe në këto degë, besoj që kryesia do të merret me caktimin e datës së Kuvendit Zgjedhor”, thotë Beqiri, derisa potencon se nuk mund të zbulojë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Sekretari i LDK’së, tregon edhe sa degë kanë mbetur ende pa i zgjedhur kryetarët.

“Kur do të jetë kjo, për momentin nuk mund ta them. Janë edhe 8-9 Degë pa i përfunduar zgjedhjet prej 38 degëve”, përfundon shkurtimisht Beqiri.

Zgjedhjet e LDK’së sollën disa herë konflikte në mes të atyre që patën pretendime për karrige në strukturat e partisë.

Ditë më parë një gjë e tillë ndodhi në Podujevë, në shkollën fillore “Ibrahim Rugova”, e ku procesi zgjedhor dështoi. E nga përleshjet që u bënë me karrige e grushte, pa ndonjë post udhëheqës në degën e tij do të mbesë edhe deputeti i kësaj partie, Arban Abrashi, që ishte njëri nga pretendentët për degën e Matit.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një mbledhje urgjente të thirrur nga kryetari Isa Mustafa, kishte vendosur një ditë pas publikimit në media të disa pamjeve ku shihej përleshja në mes anëtarëve të partisë, se dy pretendentët për kryetar të degës së tretë, Arban Abrashi e Hazir Borovci nuk do të lejohen të kandidojnë në këto pozita.

Ndërkohë nga LDK’ja gjatë gjithë procesit zgjedhor kanë insistuar se këto skandale brenda partisë, po bëhen nga persona që nuk janë pjesë e strukturave të LDK’së, e fajin për transmetimin e tyre e kanë marrë nga udhëheqësit e kësaj partie disa herë edhe mediat.

Javën e kaluar i ftuar në emisionin Frontal në T7, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri tha se raportimet janë të ekzagjeruara, pasi që përleshjet kanë ndodhur në lokalitete të vogla.

Sa i përket garës për të parin e partisë, Haziri tha se është vendosur para fillimit të procesit zgjedhor se deri në Kuvendin qendror nuk do të flitet për kandidaturat, derisa, ata persona të cilët duan të jenë pjesë e garës kandidaturën do të shpallin atë ditë.

-----