
Klubi i Kukësit po kalon momente të vështira nga ana sportive duke qenë se ka marrë katër humbje radhazi në katër sfidat e fundit.
Siç ndodh zakonisht ka pasur dyshime se posti i trajnerit Rrahman Hallaçi ishte “lëkundur”, megjithatë klubi nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetet sociale sqaron se Hallaçi do të vazhdojë të jetë trajneri i skuadrës, ndërsa “sulmon” edhe median duke pretenduar se lajmet për Kukësin vijnë pasi emri i tyre shton klikimet apo rrit shitjen e gazetave.
Njoftim i Klubit!
Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin publik se lajmet e orëve të fundit në media, për shkarkimin e trajnerit Rraman Hallaçi janë të pavërteta.
Hallaçi do të vazhdojë të jetë trajner i skuadrës dhe stafi teknik po punon për të përforcuar skuadrën në merkaton e janarit duke siguruar të gjithë se ekipi do të kthehet te rezultatet pozitivë shumë shpejt.
Trajneri Hallaçi ka besimin e klubit dhe mbështetjen e të gjithë futbollistëve në këtë moment të vështirë për skuadrën. Skuadra zhvillon sot stërvitjen e radhës për ndeshjen ndaj Apolonisë nën urdhërat e trajnerit Hallaçi.
Klubi e kupton se emri i Kukësit shton klikimet dhe rrit shitjet e gazetave por njëkohësisht kërkon nga mediat që të tregohen profesioniste dhe të mos publikojnë lajme të rreme. Klubi ka zyrën e shtypit ku mund të merret çdo informacion që keni nevojë. Para se të publikoni një lajm, jeni të lutur të siguroheni.
Zyra për shtyp
FK Kukësi