Ballina Arti Ku u moren dhe si u transportuan guret per Kalane e Tepelenes?

Ku u moren dhe si u transportuan guret per Kalane e Tepelenes?

76
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Et’hem Ruka

Në Çokane të Turanit, afer vendbanimit të fisit Çakaj ende është një gurore e vjetër. Poshtë shkurreve flenë mijëra e mijëra copa gurësh të madhësive të ndryshme. Relievi i gërryer i kësaj guroreje ndryshon nga pjesët e tjera rreth saj.

Për këtë gurore dëgjova për herë të parë kur isha ende fëmijë. Babai më kishte treguar se përtej fshatit në këmbët e malit të Turanit ishin nxjerrë gurët për ndërtimin e kështjellës dhe sarajeve të Ali Pashës në Tepelenë.

Aty nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, Pashai i Janinës vendosi ta rindërtonte kështjellën ekzistuese të Tepelenës, ndërtuar shekuj e shekuj më parë. Me siguri kjo kështjellë u rindërtua disa herë. Thonë se edhe princesha Helenë e rindërtoi atë në shekullin e 13-të, dhe kodra mbi të cilën qëndronte kështjella mori emrin e saj. Pushtuesit osmanë ruajtën emrin e Helenës, por fjalën kodër e turqizuan duke e quajtur Tepe. Kodra e Helenës u shndërrua në Tepe e Helenës dhe shekuj më vonë në Tepelenë.

Përballë Tepelenës është Beçishti, vendlindja e Ali Pashait, Luanit të pashallëkut të Janinës. Vërtet Janina ishte kryeqendra e pashallëkut të Aliut, por Tepelena ishte vendlindja e tij. Kalaja e rrënuar e Tepelenës nuk i shkonte përmasave të Ali Pashës. Thoshin se Tepelena dikur kishte vetëm 99 shtëpi dhe kurrë nuk bëheshin 100. Për Luanin e Janinës kjo ishte fyese. Vendlindja e tij meritonte një kështjellë të madhe dhe saraje që nuk mund t’i gjeje askund.

Ai vendosi ta rindërtonte atë dhe ta konsideronte si qendrën e dytë më të rëndësishme pas Janinës. Tepelena ishte jo vetëm vendlindja e tij, por edhe një pikë strategjike ku kryqëzoheshin e mund të kontrolloheshin rrugët që vinin nga Përmeti, Gjirokastra, Berati e Mallakastra.

Për ndërtimin e një kështjelle duhen mjete financiare, inxhinierë të aftë që dinë të projektojnë në vende të thepisura e strategjike, shumë materiale si gurë, gëlqere e armatura, shumë ustallarë dhe shumë punëtorë. Petro Korçari, arkitekti i besuar i Ali Pashës ka qënë në krye të punëve për konceptimin e kështjellës së Tepelenës. Ai u ndihmua nga një arkitekt gjerman, dy arkitektë francezë, një arkitekt milanez dhe dy arkitektë napolitanë.

Me sa duket vendi ku do të merreshin gurët e cilësisë më të mirë u gjet në Turan. Kishin të drejtë. Vështirë është të gjesh në Tepelenë një vend që të ketë gurë të një cilësia kaq të lartë si ata të guroreve të Turanit dhe Dukajt.

Në këmbët e malit, buzë rrugës automobilistke ende ka gurore, por gurorja në Çekane është me të vërtet historike, sepse aty u nxorrën gurët për kështjellën dhe sarajet e famshme të Ali Pashës në Tepelenë. Kjo gurore është një histori më vete, një histori që ka filluar të fshihet nga kujtesa. Fatmirësisht gojëdhënat ruhen akoma.

Nxjerrja e gurëve ishte dhe mbetet një profesion më vete. Çdo gurore është një minierë sipërfaqësore ku punët e krahut kryhen me leva, pyka e vare. Nxjerrja e gurëve nuk është gjëja më e rëndësishme për ndërtimin e kështjellës së Tepelenës. Gjëja me befasuese ishte mënyra e transportit të tyre në një rrugë këmbësore me gjatësi rreth 5 km. Transporti me mushka e kuaj do të harxhonte shumë kohë, por Pashain nuk e priste koha. Ai duhet të ecte shpejt me ndërtimet e fortifikimet në pashallëkut e tij, ndaj dhe zgjidhjet duhet të ishin krejt origjinale.

I vetmi variant për transportin e shpejtë të gurëve mbeti forca e krahut njerëzor. Gojëdhëna thotë se një varg me mijra njërëz u vunë në rresht për ta kaluar çdo copë guri dorë më dorë nga Turani deri në Tepelenë. Ishte një lloj stafete, një konvejer gjigant njerëzor i sinkronizuar, ku çdo qënie duhet të luante rolin e vet për të pritur gurin e radhës dhe për t’ia përcjellë tjetrit. Transporti dorë më dorë është një teknologji që vjen nga lashtësia dhe ruhet deri në ditët tona.

Në Tepelenë nuk po ndërtohej një a disa shtëpi me mure guri, por një kështjellë e madhe që nuk ngopej aq kollaj me gurë e materiale të tjera ndërtimi. Imagjinoni një varg prej mijëra njerëzish të vendosur në rresht në krah të njeri-tjetrit. Sikur vetëm një a dy vetëve të këtij zinxhiri tu binte të fikët nga lodhja apo të largoheshin për nevoja personale, i gjithë zinxhiri do të çregullohej dhe nuk mund të funksiononte. Konvejeri do të ndalej dhe mijëra gurë do të qëndronin në duar pa kaluar nga një njeri te tjetri.

Por ndoshta ishte e vështirë të gjeje mijëra njerëz për të ndertuar konvejerin njerëzor prej pesë kilometrash. Transporti mund të behej edhe me më pak njerëz por në largësi më të shkurtra. E kështu konvejeri njerëzor do të zhvendosej vazhdimisht deri sa gurët të mbrrinin në Tepelenë.

Askush nuk është në gjendje të thotë nga vinin këta punëtorë, ku flinin e ku ushqeheshin. Megjithatë, inventari i të hollave për pagesat e zërave të ndryshëm të punimeve është ruajtur saktësisht. Shumë shpejt këto dokumente do të bëhen të njohura nga studiuesi i talentuar Irakli Koçollari në vëllimin e tretë për Ali Pashën.

Sot askush nuk di të thotë saktësisht sa kohë zgjati dhe sa gurë u transportuan. Të vetmet dëshmi të ditëve tona janë madhësia e gurores dhe vëllimi i mureve të kështjellës. Nuk është pak një perimetër i murtë që rrethon një sipërfaqe prej 4-5 hektarësh. Jo vetëm kaq, por muret në bazë janë 4-5 metra të trashë dhe ngrihen në lartësi deri në 10 metra.

Nese ndonjë inxhinier do të llogariste sasinë e gurëve të nxjerrë e trasportuar, me siguri do na trondiste. Edhe kjo do të ishte pjesë e historisë së kështjellës së famshme të Tepelenës.

Le të supozojmë disa mijëra njerëz që mbajnë në duar mijëra gurë. Një guri do t’i duhej ndoshta një orë ose më shumë që të mbrrinte deri në Tepelenë. Në çdo 4-5 sekonda mbrrinte një gur. Për një orë do të transportoheshin disa dhjetra mijë copa guri.

Këta gurë janë edhe sot. Ata qëndrojnë të “burgosur” në muret e kështjellës prej më shumë se dy shekujsh. Ata nuk flasin dhe nuk e tregojnë dot historinë e tyre. Po të kishin gojë do të mbeteshim të befasuar. Megjithatë ata ende “shikojnë” nga Turani, ku lanë të parët e tyre.

Historia e trasportit të këtyre gurëve ka lënë gjurmë të pashlyeshme deri në ditët tona. Kur i dëgjoj këto gojëdhëna, imagjinoj egjiptianët e vjetër që ndërtuan kryevepra si piramida e Keopsit, diku në shkretëtirën pranë Kajros. Të njejtën ndjesi pata kur e vizitova atë para 17 viteve. Kur ciceroni shpjegonte ku ishin nxjerrë gurët masivë dhe si mund të ishin transportuar, imagjinova guroren e Turanit dhe njerëzit që i transportuan gurët deri në Tepelenë.

Sot, shumë gjëra duken të pabesueshme, por ato kanë ndodhur. Koha përhumb realitetin dhe me zor ruan gojëdhënat. Erozioni i kujtesës kolektive është erozioni që vret më shumë se gjithçka një popull. Ai vret heshturazi një e nga një rrënjët e vjetra të historisë së vet.

Historianët, arkeologët e gjuhëtarët tanë kanë shumë për të zbuluar e tregur për një vend si yni. Kur të tjerët ishin ende të prapambetur, të parët tanë ndërtuan qysh në antikitet kisha e manastire mbresëlënës dhe u ulën në shkallët e gurta të amfiteatrit të Butrintit, Bylisit, Durrahut e Apolonisë për të ndjekur tragjeditë e famshme të Eskilit.

---- ----
----
----- ----
-----