Ballina Lajme nacionale Kryetarja e KQZ-së në Kosovë për akuzat ndaj saj: Kandidimin nuk po...

Kryetarja e KQZ-së në Kosovë për akuzat ndaj saj: Kandidimin nuk po ua mohoj unë por ligji

33
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Lajmi i Fundit
Kryetarja e KQZ-së në Kosovë për akuzat ndaj saj: Kandidimin nuk po ua mohoj unë por ligji

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media ka folur për akuzat ndaj saj dhe institucionit që ajo drejton.

Daka ka thënë se KQZ është duke punuar maksimalisht që t’i kryej detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore.

Fjalimi i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Nuk do të kisha dashur asnjëherë që të mbaj konferencë për media për të mbrojtur punën time dhe as sot nuk do të synoj ta bëj këtë.

Unë jam këtu sepse ndihem e obliguar para qytetarëve të këtij vendi, të cilët duan institucione të qëndrueshme, kredibile dhe që veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

Dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, si brenda dhe jashtë vendit, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar maksimalisht që të kryejë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore.

Angazhimi im në fushën e zgjedhjeve prej një dakade dhe rezultatet e arritura nga KQZ-ja janë dëshmi e një pune të madhe që është bërë këtu.

Akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe në adresë time personalisht, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme.

Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjyaktës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë.

Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar.

Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.

Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore.

Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Supreme. Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre.

Unë, Valdete Daka nuk i kam shkruar dhe as votuar këto ligje, por si gjyqtare dhe si drejtuese e KQZ-së, i garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i zbatoj germë për germë.

Kushtetutën dhe Ligjet, të mira apo të këqija, kështu siç janë, i kanë votuar deputetët e e partive tuaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mund të ndodh që partive politike herë u pëlqejnë vendimet e KQZ-së dhe herë-herë jo. Por, megjithkëtë, këto vendime janë të bazuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin i orgaizojmë zgjedhjet. Ky ligj është në fuqi nga viti 2008, por partitë politike nuk e kanë marrë mundimin që ta ndryshojnë përmes deputetëve të tyre. Derisa partitë politike nuk e ndryshojnë ligjin, ne do ta zbatojmë ligjin që është në fuqi.

Unë, nuk marr vendime në emër të KQZ-së. Sipas ligjit, KQZ-ja është organ kolegjial, i përbërë edhe nga 10 anëtarë të tjerë, të cilët përfaqësojnë partitë politike dhe që kanë votën e tyre, njëjtë si unë.

Unë jam në detyrën e Kryetares së KQZ-së edhe me betimin si Gjyqtare e Gjykatës Supreme, për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi dhe këtë betim do ta çojë deri në fund e palëkundur.

Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike.

Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si KQZ-ja, që ka një staf professional, puna e të cilëve vlerësohet lartë në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur.

Në fund, ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe akuzat si dhe të respektojnë institucionet e ndërtuara me shumë sakrificë të njerëzve të vendit tonë.

Kryetarja e KQZ-së në Kosovë për akuzat ndaj saj: Kandidimin nuk po ua mohoj unë por ligji
Elda Capani

---- ----
----
----- ----
-----