Ballina Lajme nacionale Krimi ballkanik/ Europol merr vendimin e rëndësishëm për Kosovën

Krimi ballkanik/ Europol merr vendimin e rëndësishëm për Kosovën

77
SHPËRNDAJE

Bordi drejtues i Agjencisë së Inteligjencës së Bashkimit Evropian, Europol, miratoi marrëveshjen e punës me agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë, njoftoi të premten Ministria e Brendshme e Kroacisë, vendi që aktualisht kryeson Këshillin e BE-së.

Vendimi u mor në seancën e 115-të të këtij bordi, që u mbajt në format të video-konferencës më 9 dhe 10 qershor. Bëhet e ditur se marrëveshja do të nënshkruhet nga drejtorja ekzekutive e Europol-it dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës.

Marrëveshja, e miratuar nga bordi drejtues, parashikon bashkëpunim midis Europol-it dhe Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore dhe njësive për parandalimin e pastrimit të parave. Sipas njoftimit, me këtë marrëveshje, Kosovës “i jepen mundësi të reja në bashkëpunimin ndërkombëtar policor”.

Kosova, deri më tani, ka qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, me të cilin Europol-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.

Bazuar në këtë marrëveshje pune, e cila do të hyjë në fuqi në ditën e nënshkrimit, Kosova do të krijojë një zyrë qendrore për bashkëpunim me Europol-in dhe do të dërgojë oficerin e saj ndërlidhës në selinë qëndrore në Hagë.

-----