Ballina Lajme nacionale Krijimi i një koalicioni mes Kurtit dhe Limajt? Flasin nga Nisma dhe...

Krijimi i një koalicioni mes Kurtit dhe Limajt? Flasin nga Nisma dhe VV

86
SHPËRNDAJE

Pas vendimit të PZAP-së, mund të krijohet një koalicion i ri .

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjatë së hënës ka miratuar ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD, duke anuluar votat e ardhura nga Serbia pas zgjedhjeve.

Vendimi i PZAP-së për anulimin e votave të ardhura me postë nga Serbia, ka bërë që t’ia mundësojë koalicionit Nisma-AKR-PD, hyrjen në Kuvendin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Me këtë vendim të PZAP-së, koalicioni Nisma-AKR-PD mund t’i ketë gjashtë deputet në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë mënyrë Lëvizjes Vetëvendosje do t’i merren tre deputetë, Lidhjes Demokratike të Kosovës një, koalicionit AAK-PSD një si dhe PDK-së një deputet.

Duke u bazuar në vendimin e PZAP-së dhe në rezultatet që mund të dalin pas certifikimit të zgjedhjeve, Vetëvendosje dhe LDK nuk do të mund ta formojnë Qeverinë e re pa bërë koalicion edhe me një partner të tretë, pasi që nuk do të mund të arrijnë t’i kenë 61 deputetë.

Se a do të jetë partner i tretë i qeverisjes Nisma apo Lista Serbe, lajmi.net ka kontaktuar edhe partinë fituese të zgjedhjeve.

Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për lajmi.net, se nuk mund të thonë asgjë pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve.

“Duhet të presim deri në fund procesin deri në certifikim. Nuk mund të japim ndonjë përgjigje të duhur me shumë “nëse”. Kur të gjendemi në rrethana të tjera ne sigurisht se do të marrim qëndrim dhe vendim si subjekt fitues i këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Manxhuka për lajmi.net.

Në anën tjetër, edhe Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë për lajmi.net se akoma nuk kanë diskutuar brenda partisë se cilat poste do t’i kërkojnë nga Kurti në rast se arrijnë të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.

“Brenda partisë ende nuk kemi diskutuar për këto çështje. Një herë le të përfundojë procesi zgjedhor. Ne jemi të bindur që ende nuk ka përfunduar procesi zgjedhor. Kemi ende procedura të cilat duhet t’i presim dhe pasi që të certifikohet rezultati zgjedhor, më pas do të shohim”, ka deklaruar Hoti.

Duhet theksuar se pas vendimit të PZAP-së, kandidatët e VV-së për deputet që po u rrezikohet posti, të martën kanë dorëzuar ankesë në Supreme lidhur me vendimin e institucionit të ankesave.

Janë Enver Haliti, Arta Bajralija e Alban Hyseni të cilët kanë dorëzuar ankesë në Supreme.