Ballina Lajme nacionale Krenar me Ushtrinë e Kosovës, por jo edhe me pagat e ushtarëve

Krenar me Ushtrinë e Kosovës, por jo edhe me pagat e ushtarëve

16
SHPËRNDAJE

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i vendit, Hashim Thaçi pati deklaruar se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që pjesëtarëve të FSK-së, t’u rriten pagat.

“Pasi që themeluam ushtrinë, të gjithë kemi unanimitet të plotë në mbështetje të ushtrisë, të zhvillimit dhe realizimit të misionit të tyre. Unë kam vendosur si presidenti dhe si Komandant Suprem t’i propozojë qeverisë rritjen e pagave për ushtarët e FSK-së, që ata ta kenë një jetë të dinjitetesh me punën dhe angazhimin e tyre, shpresoj që Qeveria t’i përgjigjet pozitivisht për rritjen e pagave në mënyrë solide dhe të pranishme. Shpresoj të jemi të mobilizuar edhe në këtë drejtim”, pati deklaruar Thaçi.

E një kërkesë të tillë pati mirëpritur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haraidnaj.

“Për rritjen e pagave ne e presim si Qeveri për çdo institucion, sidomos për Forcën, i mirëpresim kurdo që i jepet propozimi konkret dhe do e shqyrtojmë atë”, ka thënë Haradinaj.

E pjesë e Ligjit për Pagat nuk janë edhe pjesëtarët e FSK-së. Kësisoj të gjithë ushtarët e Kosovës mbeten me paga të njëjta.

Të kontaktuar nga Indeksonline, Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se pagat vazhdojnë të jenë të njëjta që nga viti 2014.

“Nuk ka pas rritje, përjashtimisht në janar të vitit 2018 ka pas rritje 4% për pagat e të gjithë administratës publike ashtu edhe për institucionin tonë, si dhe çdo vit ka rritje sipas përvojës së punës 0.5% për të gjitha kategoritë e personelit që marrin paga nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, është thënë për Indeksonline nga Zyra për Informim e Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje është theksuar se sipas Ligjit Nr.06/L-124 për Shërbim në FSK,(neni 14 paragrafi 3), pagat, shtesat mbi pagën dhe kompensimet e tjera përcaktohen dhe paguhen në përputhje me dispozitat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Kësisoj edhe pse ndër krenaritë më të mëdha të vendit vazhdojnë të jenë pjesëtarët e FSK-së dhe formimit të Ushtrisë së Kosovës iu gëzuan të gjithë, propozimi i bërë haptazi nga presidenti Thaçi mbetet vetëm në ajër, pasi një gjë e tillë nuk u bë, pagat e pjesëtarëve të FSK-së nuk janë rritur dhe të njëjtit nuk janë pjesë e Ligjit për Pagat

-----