Ballina Lajme nacionale Kredi në emër të bamirësisë me interes mbi 80 për qind

Kredi në emër të bamirësisë me interes mbi 80 për qind

15
SHPËRNDAJE

Po vazhdojnë kritikat ndaj kompanisë Iute Credit

Besa (identiteti i njohur për redaksinë e REL) është një qytetare nga Prishtina e cila kishte nevojë për një kredi të shpejtë familjare dhe për t’i siguruar paratë që i duheshin ajo u ishte drejtuar institucioneve mikrofinanciare, përkatësisht Iute Credit, i mbyllur së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në këtë institucion mikrofinanciar, në muajin tetor të vitit të kaluar (2018), brenda pak orëve ajo ka marrë shumën e parave të kërkuara në vlerë prej 232 euro, me marrëveshjen që përmes pagesës mujore dhe me normën e interesit të caktuar, t’i kthente brenda periudhës kohore prej 12 muajve.

Për vlerën e aprovuar të kredisë prej 232 euro, Besa në këtë institucion ka kthyer 311 euro apo 79 euro më shumë. Besa në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se për shkak të nevojës urgjente për mjetet e nevojshme, nuk ka qenë shumë e informuar për normat e kredisë.

“Unë nuk i kam ditë shumë kamatat e kredisë, por pasi paratë më janë nevojitur shpejt, shkova në Iute Credit. Brenda një dite kam aplikuar dhe më është aprovuar kredia. Kam aplikuar vetëm me letërnjoftim. Asnjëherë më nuk do të aplikojë në institucione mikrofinanciare për kredi, pavarësisht nevojës, pasi kamatat janë shumë të larta”, thotë ajo.

Por, Besa, si kliente e Iute Credit, thotë se ajo ka paguar normë të ulët interesi, krahasuar me klientët tjerë që më pas ishin ankuar për norma të larta, çka edhe e kishte aktivizuar Bankën Qendrore të Kosovës të reagonte dhe ta mbyllte këtë institucion mikrofinanciar.

Institucionet jobankare Iute Credit Europe dhe Monego, janë në pronësi të investitorëve ndërkombëtarë, që në tregun e Kosovës kanë operuar me dhjetëra njësi. Por, nga 6 dhjetori i këtij viti, ato janë mbyllur nga Banka Qendrore e Kosovës, për shkak të normës së lartë të interesit për kredi.

Në planin e biznesit, dokument ky i rëndësishëm për procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencës nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, këto dy institucione normat efektive të interesit i kanë paraqitur në 34 respektivisht 26 për qind.

Sokol Havolli, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, gjatë arsyetimit të vendimit për mbyllje tha se këto dy institucione mikrofinanciare, në bazë të mostrave që ka poseduar dhe analizuar BQK-ja, kanë zbatuar norma efektive të interesit nga 80 deri në 236 për qind.

“Kështu kjo ka bërë që plani i biznesit nuk ka paraqitur një plan real për t’u zbatuar, por ka paraqitur një plan për t’u pajisur me licencë dhe për të mos u zbatuar”, tha Havolli.

Numri i tërësishëm i kredive aktive bazuar në regjistrin e kredive të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në këto dy institucione është për rreth 80 mijë klientë, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK.

Ndërsa shuma e kredive të lëshuara (aktive dhe jo aktive – të mbyllura) deri më 31 tetor të këtij viti, sipas Ahmetit, është 72.5 milionë euro. Prej kësaj shume, kredi aktive janë 25.2 milionë euro.

Kompania Iute Credit Europe, pas marrjes se vendimit të BQK-së, në faqen e saj zyrtare ka shkruar se e konteston vendimin e papritur dhe të pajustifikuar të Bankës Qendrore të Kosovës për revokimin e licencës së saj.