Ballina Lajme nacionale Krasniqi flet për dorëheqjen e Haradinajt, e quan vendim të ngutshëm

Krasniqi flet për dorëheqjen e Haradinajt, e quan vendim të ngutshëm

15
SHPËRNDAJE

Jakup Krasniqi ka folur për dorëheqjen e Ramush Haradinajt.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka deklaruar se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është ngutur kur ka dhënë dorëheqje nga detyra e kreut të qeverisë.

“Unë mendoj që është një ngutje e kryeministrit Haradinaj, tani në detyrë” tha Krasniqi, duke shtuar se “duhet të bëhet një dallim mes qeverisë së shkarkuar me mocion dhe një qeverie në dorëheqje”.

Ai madje e krahasoi edhe veprimin e Haradinajt kur ishte në koalicion me ish-presidentin Ibrahim Rugova, kur dorëheqja e Haradinajt nuk e kishte dërguar vendin në zgjedhje.

“Sipas përvojës që e kemi pasur, ndoshta vetë nga Ramush Haradinaj, kur ka shkuar në tribunalin e Hagës, pati dhënë dorëheqje, që ishte e arsyeshme. E menjëherë pas saj vendi nuk ka shkuar në zgjedhje” tha Krasniqi.

E Krasniqi shtoi se dallimi nga hera e kaluar është fakti se tani qeveria nuk i ka numrat që ta mbajë pushtetin

“Dorëheqja e kryeministrit zakonisht nuk e dërgon vendin në zgjedhje, po kësaj radhe për shkak të numrave të ngushtë, realisht dorëheqja e kryeministrit e ka shkaktuar këtë (shkuarjen në zgjedhje” tha ai duke thënë se “nëse do të ishin numrat për një kandidat tjetër çoftë nga AAK’ja apo PDK’ja ose Nisma, që të ishte një kandidat tjetër e vendi të mos shkojë në zgjedhje, për mua do të ishte normale” tha Krasniqi.

Ai në fund shtoi se tani po e presin shpërbërjen e kuvendit dhe pas 45 ditëve të ketë zgjedhje.

-----