Ballina Lajme nacionale “Kosovës i mungon një bashkëbisedues i fortë me Serbinë”

“Kosovës i mungon një bashkëbisedues i fortë me Serbinë”

41
SHPËRNDAJE

Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se aktakuza e paraqitur nga Zyra e Prokurorit Special, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka qenë befasi për të. Ai beson se problemi i Kosovës është që në tavolinën negociuese nuk ka një bashkëbisedues të fortë, derisa beson se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë ndërhyrë njëra-tjetrës në procesin dialogues mes Kosovë​s dhe Serbisë​. Sa i pë​rket Beogradit, Bieber beson se ai mund të jetë i kënaqur me zhvillime e fundit.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë menduat fillimisht kur mësuat për lajmin e aktakuzës kundër Thaçit dhe Veselit?

Nga njëra anë nuk ishte befasi. Ne e dimë – kam pritur njëfarë aktakuze kundër Thaçit që një kohë të gjatë, sepse kjo gjë po qarkullonte në ajër në shumë mënyra. Sigurisht, koha, kjo ishte befasia më e madhe, sepse ishte vetëm tri ditë para samitit. Kështu që, goditja ishte më e vogël nga ajo që ndodhi tani, në të vërtetë. Kjo ishte befasia më e madhe e cila tërhoqi vëmendjen time.

Radio Evropa e Lirë: Thaçi dhe as kryeministri Hoti nuk do të marrin pjesë në takimin në Uashington? A është kjo një goditje vdekjeprurëse ndaj atij procesi? Procesit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara?

Mendoj që po. Nuk do të kishte kuptim që kryeministri (i Kosovës) të shkonte dhe të bisedonte me presidentin (e Serbisë), është një lloj asimetrie aty. Tashmë është një marrëdhënie shumë asimetrike, sepse në njërën anë kemi një president (në anën tjetër).. keni një kryeministër shumë të dobët, i cili, ka shumicë shumë të vogël në parlament derisa presidenti është shumë i fuqishëm me një lloj mbizotërimi politik.

Pra, kjo do ta bënte shumë të vështirë krijimin e një dialogu domethënës dhe tani mendoj se ajo që vërtetë është e paqartë është baza e bisedës, sepse nuk e dimë se cili do të jetë pozicioni i Thaçit? A duhet të japë ai dorëheqja? Nëse po, kush do ta zëvendësojë? Sepse, natyrisht kryeministri dhe i tërë procesi i Kosovës është nxitur nga vetë Thaçi dhe ekziston mbështetje e kufizuar përtej tij. Kështu që unë mendoj se nuk ka të bëjë vetëm me pjesëmarrjen personale në Samitin e Uashingtonit, por ka të bëjë edhe me faktin se nëse ka ndonjë bashkëbisedues nga pala kosovare për të çuar përpara procesin e udhëhequr nga Amerika.

Radio Evropa e Lirë: A mundëson kjo gjë potencialisht rritjen e aktivitetit nga ana e Bashkimit Evropian, apo çështja e udhëheqësisë së Kosovës është e pakapërcyeshme për këdo që përpiqet të ndërmjetësojë?

Mendoj se Bashkimi Evropian është përpjekur të marrë përsipër një rol aktiv në negociata dhe (i dërguari i BE-së për diaogoun, Mirosllav) Lajçak ishte duke zhvilluar bisedime me politikanët e të dyja kryeqyteteve dhe ishte duke përgatitur këtë dialog. Ne ende nuk e dimë saktësisht formatin, por është e qartë se ai ishte duke u përgatitur për të. Para se Thaçi të paditej, ne kishim një lloj pritjeje nga (i dërguari i SHBA-së për dialogun, Richard) Grenelli dhe thoshim se ai nuk po mendonte për përparim të madh në bisedime, por për njëfarë lloj përqendrimi në ekonomi, gjë për të cilën tashmë ai bëri një hap prapa, me siguri jo sepse donte, por sepse e kuptoi që nuk mund të arrinte marrëveshje. Kështu që SHBA-të më pas janë përfshirë, por përsëri dua të them që pa mbështetjen e SHBA-së do të jetë e vështirë për BE-ne që të ketë një marrëveshje.

Gjithashtu, Bashkimi Evropian është në një pozitë të vështirë për momentin sepse siç e dini është i favorizuar qartë nga qeveria e Albin Kurtit, e cila tashmë është rrëzuar, gjithashtu nuk e di nëse e dini se pala kosovare ka një mungesë të një bashkëbiseduesi të fortë gjë e cila mbetet problem. Kështu që unë do të pres që BE-ja do të marrë më shumë kohë, por sigurisht që do të përpiqet të marrë përsipër një rol të rëndësishëm në tërë këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni të kthehem te pyetjet sa i përket njoftimit. Siç e thatë edhe ju, të gjithë duket se janë befasuar nga koha, për diçka që është krijuar në muajin prill. Është disi e pazakontë që në njoftim të bëhen publikë emrat, apo jo? Çfarë mendoni për kohën dhe faktin se një gjykatës i procedurës paraprake është duke analizuar aktakuzën.

Ajo që dimë është se deklarata është detyruar nga Zyra e Prokurorit, ose të paktën kështu duket- ai ndjeu se kjo deklaratë duhet të bëhet publike, sepse aktakuza mund të shmangej ose mund të kishte presion nga të dy të paditurit ose ndoshta nga dikush tjetër. Pra, ne nuk e dimë, por mund të ketë pasur lidhje me samitin, në aspektin që ndoshta mund të ketë pasur përpjekje të Thaçit për të siguruar imunitet, mbrojtje nga aktakuza përmes këtij procesi. Ne ende duhet të mësojmë se çfarë ka ndodhur aty. Por, me siguri mund të sugjeroj që mund të ketë qenë njëfarë lidhje e vërtetë në mes të këtyre dyjave.

-----