Ballina Lajme nacionale Kosovë, sot votohet në parlament qeveria e re

Kosovë, sot votohet në parlament qeveria e re

18
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot formimin e Qeverisë së re me Albin Kurtin, kryeministër. Ky votim, që zhbllokon të gjithë situatën në vend është rezultat i marrëveshjes së bashkëqeverisjes, së arritur më në fund mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

61 vota janë të nevojshme për dritën jeshile të ekzekutivit nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Duke mos llogaritur komunitetet pakicë, LVV dhe LDK kanë së bashku 57 vota në kuvend.

E ndërsa Lista Serbe, e cila ka një grup parlamentar prej 11 deputetësh, tani thotë se nuk do të votojë për qeverinë e re, shpresat e Kurtit mbështeten te votat e pakicave joserbe, përkatësisht komuniteti turk, boshnjak, rom, egjiptian e ashkali, që së bashku kanë 9 vende në kuvend.

Seanca pritet të nisë me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarin e kuvendit. Në këtë post, mendohet se do të vendoset deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ndërsa kryetari aktual i kuvendit, i zgjedhur në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca, kalon në një pozitë qeveritare.

Bazuar në marrëveshjen LVV–LDK, qeveria e re do të ketë 15 ministri. Prej tyre, nga 6 ministri do t’i kenë LVV dhe LDK, kurse 3 ministri u takojnë komuniteteve pakicë. Po ashtu, qeveria do të ketë edhe 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra. Në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

 

 

---- ----
----
-----
-----