Ballina Lajme nacionale Kosovë/ Qeveria e re në dorë të serbëve, numrat dhe sakrificat e...

Kosovë/ Qeveria e re në dorë të serbëve, numrat dhe sakrificat e koalicionit të ri

52
SHPËRNDAJE

Qeveria e re e Avdullah Hotit do të shpallet ditën e nesërme, por që të votohet në Parlament nuk do të jetë shumë e lehtë. Dhe kjo sepse koalicioni i ri varet nga votat e Listës Serbe, që në Kuvend kanë 10 deputetë. Të miratohet, qeveria ka nevojë për 61 vota. Që të mund të marrin miratimin e serbëve, duket se LDK-ja u ka premtuar atyre postin e zëvendëskryeministrit.

LDK-ja do të bëjë koalicion me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe minoritetet, e totali i votave shkon në 66 deputetë. Por dy prej deputetëve të LDK-së, Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli, janë haptazi kundër dhe dy të tjerë që raportohet se gjithashtu nuk do ta votojnë qeverinë Hoti.

Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, është njëri prej emrave, që është përmendur se nuk do ta votojë koalicionin qeverisës në krye me partinë e tij. As deputeti Ardian Shala, që ka votuar kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, nuk tregon nëse do ta votojë ose jo tash Qeverinë e Avdullah Hotit.

AAK ka 13 deputetë, Nisma Socialdemokrate ka 4 deputetë dhe AKR ka 2 deputetë në parlament. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në takimin e partive me Presidentin Thaçi, është deklaruar për formimin e një qeverie të re dhe mosshkuarjes në zgjedhje, por ka thënë se vetë vazhdon në opozitë.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij nuk e voton qeverinë e re, edhe nëse LDK-së i duhen votat e saj.

Ndërkaq pakicat jo serbe, që kanë 9 deputetë, thonë se brenda partive të tyre ka akoma paqartësi e hezitime dhe se nuk janë 100 për qind të vendosur në përkrahjen e qeverisë Hoti.

Në bazë të llogarive, në parlament qeverinë Hoti e pret një test i vështirë. Në total, të gjitha partitë e koalicionit kanë 66 deputetë në parlament, por duket se 4 ligjvënës, të LDK-së nuk do ta votojnë. Kjo do të thotë se qeveria Hoti do të marrë 62 vota, e do të jetë në dorë të serbëve dhe partive të tjera të minoriteteve.

Qeveria Kurti nuk e kishte të nevojshme që t’i plotësonte dëshirat serbëve për të krijuar qeverinë. Por në të tilla rrethana është e kuptueshme se me t’u miratuar, do të hiqet taksa e reciprocitetit ndaj Serbisë.

-----