Ballina Lajme nacionale Kosova po jep rezervat shtetërore për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit?

Kosova po jep rezervat shtetërore për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit?

9
SHPËRNDAJE

Institucionet e vendit ende nuk kanë vendosur për shumën e mjeteve financiare që do t’i ndahen Shqipërisë, si ndihmë për të prekurit nga tërmetet.

Madje, nuk është caktuar as linja buxhetore prej nga do të sigurohen këto mjete. Në Qeveri thonë se janë duke punuar në këtë aspekt dhe se për këtë çështje pritet të vendoset ditëve në vijim.

Brenda 11 minutave, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë, pasditen e së shtunës. Përveç në Shqipëri, dridhjet u dëgjuan edhe në Kosovë, Bullgari, Bosnje, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.

Sipas të dhënave të para, të lënduar mbetën mbi 100 persona, derisa u dëmtuan 915 banesa e pallate.

Për gjendjen e krijuar atje, nuk vonoi shumë e reaguan edhe krerët e institucioneve në vend. Të gjithë ofruan ndihmë për shtetin shqiptar.

I pari që reagoi ishte kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj njoftoi se ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, derisa të lënduarve u uroi shërim të shpejt.

Haradinaj deklaroi se Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet.

“Kam udhëzuar Gjeneralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet”, ka shkruar Haradinaj.

Përveç Haradinajt, i gatshëm për ndihmë u shpreh edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

I pari i vendit i ofroi ndihmë ushtarake shtetit shqiptar.

“Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi në rrjetin social “Facebook”, të shtunën.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u solidarizua me qytetarët e Shqipërisë. Veseli tha së janë të gatshëm që të mbështesin shtetin shqiptar “me çdo që është e nevojshme”.

“Solidarizohem me motrat dhe vëllezërit shqiptarë matanë kufirit, që sot pësuan nga një tërmet i rëndë. Jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë në përballimin e pasojave, me çdo gjë që është e nevojshme”, shkroi Veseli në Facebook.

Por, pavarësisht se krerët e institucioneve premtuan ndihma, deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim.

Madje, institucionet e vendit ende nuk kanë vendosur për shumën e mjeteve që do të ndahen, e as për linjën buxhetore prej së cilës do të sigurohen këto mjete.

Zëdhënësja e Qeverisë në dorëheqje, Donjeta Gashi i ka thënë Gazetës Express se po shikohen te gjitha mundësitë financiare dhe ligjore qe ka qeveria për ndarjen e këtyre mjeteve.

“Kryeministri ne detyrë ka shprehur gatishmëri që t’ju ndalim një shume financiare për Shqipërinë, më konkretisht te prekurit. Ne këto momente pas kësaj ngjarje, po shikohen te gjitha mundësitë ligjore dhe financiare që ka Kosova në këtë fazë për ndarjen e këtyre mjeteve. Ende nuk është vendosur një shifër e saktë dhe mënyra e ndarjes së këtyre mjeteve. Po punohet në këtë drejtim, dhe në momentin që do të vendoset do iu bëjmë me dije”, ka thënë Gashi për Express.

Zakonisht mjetet për të tilla raste Qeveria i siguronte nga rezervat shtetërore, ku aktualisht kanë mbetur vetëm 100 mijë euro. Me këtë veprim, Qeveria do t’i shterrte rezervat shtetërore për Shqipërinë.

Ndryshe, nga ajo që u raportua nga Qendrat Ndërkombëtare Sizmologjike, shkalla e tërmetit që dridhi 10 shtete, ka qenë mbi 5.6 ballë të Rihterit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit. Kujtojmë, se shuma e parave që ka mbetur në rezerva shtetërore është vetëm 100 mijë euro.