Ballina Lajme nacionale Kosova mund të humb 90 milionë euro, kjo është arsyeja

Kosova mund të humb 90 milionë euro, kjo është arsyeja

19
SHPËRNDAJE

Kosova rrezikon të humbasë shumë para.

I gjithë spektri politik në Kosovë është bërë gati për zgjedhjet e parakohshme.

Madje, po pritet që edhe Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet brenda ditëve.

E kjo ka lënë shumë projektligje të pavotuara.

Një ndër to është edhe “Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2018”.

Sipas Demush Shashës nga Instituti EPIK, rrezikohet humbja e 90.5 milionë euro fondeve nga Bashkimi Evropian.

“Në këtë drejtim, duhet nënvizuar se afati përfundimtar për ratifikimin e marrëveshjes IPA 2018 është 31 dhjetori 2019. Rrjedhimisht, ratifikimi i marrëveshjes mund të bëhet nga legjislatura e ardhshme e Kuvendit. Sidoqoftë, ky skenar do të kërkonte konstituimin pa vonesa të Kuvendit.

Në këtë kontekst, mosratifikimi i marrëveshjes nga legjislatura aktuale apo vonesat në konstituimin e legjislaturës së ardhshme para datës 31 dhjetor 2019 rrezikojnë humbjen e 90.5 milionë eurove”, ka thënë Shasha.

Më tutje, Shasha ka shkruar se Kosova ka krijuar një trend të humbjes së fondeve në BE-ja, ku në gusht të 2018-s ka humbur mbi 43 milionë euro, e në qershor 2019 rreth 12 milionë euro.

Ndërkaq, burime të KTV-së thonë që një prej arsyeve që kanë ardhur te vonesat e votimit të IPA-s është se zyra ligjore e Ministrisë së Integrimeve e ka vonuar një opinion ligjor për projektligjin, sepse do të votohej më herët.

LDK-ja është partia e vetme që ka kërkuar që para shpërbërjes së Kuvendit, të votohen fondet e IPA-s.

Shasha ka folur edhe për emërimin e Komisionerit për Informim dhe Privatësi. Ai ka thënë që partitë po e zvarritin këtë proces.

“Sa i përket Komisionerit për Informim dhe Privatësi, ka pasur përpjekje nga ana e partive në pushtet që të vazhdojnë kapjen e institucioneve të pavarura. Pas shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile dhe media, konkursi i parë u anulua. Sidoqoftë, partitë në pushtet qëllimisht kanë zvarritur emërimin e Komisionerit për të siguruar dështimin e tij”, ka thënë Shasha.

Ndërkaq, nuk janë vetëm këto punë që nuk u kryen nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Kuvendi në sesionin pranveror ka përmbushur agjendën e tij vetëm 18 përqind.

Edhe në vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka pasur një përqindje të ulët të përmbushjes së agjendës legjislative. KDI-ja, në raport për punën e Kuvendit, thekson se vetëm 42 përqind e agjendës është përmbushur gjatë 2018-s.

-----