Ballina Lajme nacionale Kosova, ekspertët: S`ka afat kohor për të mandatuarin

Kosova, ekspertët: S`ka afat kohor për të mandatuarin

30
SHPËRNDAJE

Kërkesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë më parë ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të propozojë kandidatin e ri për kryeministër të vendit, si dhe përgjigja e këtij të fundit se do të dërgojë një përgjigje “në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë të koronavirusit”, janë paralajmërime të mundshme se gjithçka do të përfundojë edhe një herë në Gjykatën Kushtetuese për një aktgjykim të ri vlerësojnë njohës të çështjeve ligjore dhe politike në Prishtinë.

Deri më tani, ende nuk dihet nëse Vetëvendosje do të propozojë kandidatin e ri. Kurti vazhdimisht ka deklaruar se me presidentin Thaçi nuk pajtohen për krijimin qeverisë së re, por kërkon caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas kalimit të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pasi presidenti kërkoi emrin e të mandatuarit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje,  kjo e fundit ka të drejtë të shfrytëzojë kohë për konsultim. Eksperti thotë se në Kushtetutën e Kosovës nuk parashihet një afat i caktuar se kur duhet të dorëzohet emri i mandatarit për kryeministër të ri.

“Mund të ketë një tjetër krizë pasi Vetëvendosje nuk ka një afat apo limit kohor që mund ta dërgojë një emër te presidenti, pra nuk kufizohet. Normalisht që presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të pyes se cili do të ishte afati optimal që subjekti politik t’i kthejë përgjigje apo t`I dërgojë emrin”, shprehet ai.

Edhe analisti i çështjeve politike Albert Krasniqi, në një bisedë me “Radion Evropa e Lirë”, ka shprehur mendimin se ekziston një paqartësi kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sipas tij, nuk ka afat të paraparë se për sa kohë duhet që partia e parë të kthejë një përgjigje, pra nëse refuzon apo nëse dëshiron të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit të ri.

----- ----- ----- -----