Ballina Lajme nacionale Koalicioni me LVV-në, flet deputetja e LDK-së

Koalicioni me LVV-në, flet deputetja e LDK-së

19
SHPËRNDAJE

Së shpejti vendi do të shkojë në zgjedhje dhe partitë politike janë duke shqyrtuar mundësinë e koalicioneve.

Kërkesës së Vetëvendosjes për koalicion parazgjedhor ende nuk i është përgjigjur pozitivisht Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse së shpejti pritet që vendi të shkojë në zgjedhje. Edhe pse kanë zhvilluar disa takime dhe kanë krijuar edhe grupe punuese sa i përket kësaj çështjeje, LDK-ja dhe LVV-ja nuk po arrijnë të bien në ujdi për ndarjen e pozitave në rast të triumfit të tyre në zgjedhjet e reja,

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në një prononcim për “Zërin” ka pohuar se koalicioni LDK – LVV është i vështirë për të ndodhur, për shkak të disa arsyeve, si: programet partiake, ideologjitë e të tjera.

“Koalicioni me Vetëvendosjen nuk është i lehtë, kemi shumë mospajtime për të cilat nuk mund të bëjmë koalicion dhe tashmë opinioni i di ato. Në të vërtetë, ne kemi mospajtime edhe në programe, pra profili i majtë dhe i djathtë që është shumë vështirë të harmonizohet, i kemi edhe dallimet ideologjike që janë shumë të rëndësishme dhe më problematike, për të mos folur pastaj për situatën çfarë e kemi pasur kur ne ishim në Qeveri dhe Vetëvendosja ishte në opozitë”, ka thënë Gaxherri për “Zërin.

Në mesin e tyre Gaxherri thekson se ka edhe arsye për të bashkëpunuar, duke shtuar se nëse Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e sheh të arsyeshme, atëherë të dyja paritë duhet të reflektojnë për të bashkëpunuar dhe për ta krijuar qeverinë, duke i harmonizuar programet e tyre.

“Arsyeja më e madhe për të bërë koalicion me Vetëvendosjen është vendi. Shpresojmë që me një subjekt politik, i cili deri më sot është deklaruar se do t’i luftojë dukuritë e këqija në këtë vend, mund të bëjmë koalicion. Ende nuk kemi ardhur në përfundim që është ose nuk është i mundshëm ky koalicion. Por në qoftë se vërtetë ne si Këshill i Përgjithshëm i LDK-së e shohim që Kosova do të përfitojë me këtë koalicion, atëherë ne do t’i lëmë të gjitha anash dhe duhet të përpiqemi ta harmonizojmë programin, ideologjinë dhe shumë gjëra. Pra, duhet që të dyja palët të lëshojnë pe dhe të vazhdojnë tutje”, ka shtuar ajo.

-----