Ballina Lajme nacionale Kjo është arsyeja pse Franca po heziton ta mbështesë Kosovën për liberalizim

Kjo është arsyeja pse Franca po heziton ta mbështesë Kosovën për liberalizim

18
SHPËRNDAJE

Franca vazhdon të hezitojë ta mbështesë Kosovën për liberalizim e vizave.

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të drejtuesve të institucioneve vendore se gjatë këtij viti Kosovës do t’i hiqen vizat nga Bashkimi Evropian, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave ka shumë gjasë të mos përmbyllet as gjatë vitit 2019, pasi disa shtete anëtare ende nuk janë bindur që të votojnë pro.

Teksa ka folur rreth liberalizimit zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian lidhur me çështjen e vizave, mirëpo disa shtete të BE-së ende po vazhdojnë të jenë skeptike sa i përket liberalizimit.

“Obligimet që i ka pasur Kosova karshi këtij procesi i ka përfunduar moti, por kjo është çështje krejt politike dhe besoj se tash edhe në opinion është bërë publike që sidomos Franca, por edhe Gjermania ka qenë hezituese, ndonëse Gjermania ka shenja pozitive në këtë drejtim. Por me sa duket Franca ende ka hezitim që të votojë dhe këtu ka ngecur puna”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Çelaj më tej ka thënë se me zvarritjen e këtij procesi qytetarëve të Kosovës po u bëhet një padrejtësi e madhe. “Mendoj se është çështje politike, se po u bëhet një padrejtësi e madhe qytetarëve të Kosovës që po shtyhet ky vendim, por kjo është ajo”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse kjo nënkupton se ka gjasa që edhe ky vit të shkojë pa viza, Çelaj ka pohuar se mund të ndodhë një gjë e tillë. “Po, gjasa ka”, ka thënë shkurtimisht zëvendësministri i Integrimit Evropian.

Pavarësisht tij, kryeministri Ramush Haradinaj gjatë kësaj jave konsideroi se është arritur progres i dukshëm sa i përket qëndrimit të Francës, pasi ky shtet nuk do ta bllokojë procesin e liberalizimit.

“Është arritur një progres, Franca nuk e bllokon ecjen përpara në agjendë dhe marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo është e vërteta”, ka theksuar Hardinaj pas një takimi që ka pasur me ministrin e Brendshëm francez, Christophe Castaner.

Pavarësisht optimizmit të kryeministrit se liberalizimi do të finalizohet së shpejti, Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme (LVV), ka thënë se situata aktuale brenda BE-së lë të nënkuptohet se mund të mos ketë viza as gjatë 2019-s.

“Sa i përket kryesimit të Presidencës nga Finlanda presim që ta dërgojë çështjen e liberalizimit të vizave në Këshill të Ministrave, por rezultati varet prej shteteve anëtare gjë që nuk po duket se do të ndodhë këtë vit, ngase shtetet kryesore kanë dërguar sinjale negative sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka deklaruar Pacolli për gazetën.