Ballina Lajme Bota/Rajoni Kishin të dhëna për koronavirusin, senatorët amerikanë shitën aksionet personale

Kishin të dhëna për koronavirusin, senatorët amerikanë shitën aksionet personale

53
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Senatin amerikan Richard Burr, një republikan që përfaqëson shtetin e Karolinës së Veriut, shiti më shumë se 1,7 milion dollarë aksione pak para rënies së bursës në muajin shkurt, mes shqetësimeve për epideminë e koronavirusit. Senatori i Karolinës së Veriut nuk ishte ligjvënësi i vetëm që shiti aksione pak para rënies së madhe të bursës për shkak të pandemisë globale.

Të dhënat e senatit tregojnë se senatori Burr dhe bashkëshortja e tij shitën 600,000 deri në 1.7 milion dollarë aksione përmes më shumë se 30 transaksioneve të veçanta në fund të janarit dhe në mes të shkurtit, pak para se të fillonte rënia e bursës, kur zyrtarët qeveritarë të shëndetësisë filluan të lëshonin paralajmërime të rrepta për efektet e virusit.

Disa prej aksioneve ishin në kompani hotelesh. Shitjet e aksioneve u raportuan për herë të parë nga ProPublica dhe Qendra për Politikë të Përgjegjshme.

Sipas një regjistrimi të siguruar nga radioja NPR, shumica e shitjeve u bënë më 13 shkurt, pak para se senatori Burr të mbante një fjalim në Karolinën e Veriut në të cilin ai parashikoi pasoja të rënda nga virusi, përfshirë mbylljen e shkollave dhe ndërprerjen e udhëtimeve.

Senatori Burr i tha një audience të vogël në Karolinën e Veriut se virusi ishte “shumë më agresiv në transmetim sesa gjithçka që është parë në historinë e kohëve të fundit” dhe “ndoshta më shumë i ngjashëm me pandeminë e vitit 1918”.

Deklaratat e senatorit Burr ishin shumë më të forta nga ato që ai kishte bërë publikisht, dhe erdhën ndërsa Presidenti Donald Trump ishte ende duke minimizuar ashpërsinë e virusit.

Nuk ka asnjë shenjë se senatori Burr kishte ndonjë informacion të brendshëm ndërsa shiti aksionet dhe nxori paralajmërimet private. Sipas një personi që ka njohuri mbi këtë çështje, Komisioni i inteligjencës në Senat nuk mbajti asnjë seancë informuese mbi pandeminë javën kur u shitën shumica e aksioneve.

Senatori Burr tha në Twitter të enjten se amerikanët tashmë po paralajmëroheshin për efektet e virusit kur ai mbajti fjalimin para Shoqatës Shtetërore të Karolinës së Veriut.

Senatori i Karolinës së Veriut nuk ishte ligjvënësi i vetëm që shiti aksione pak para rënies së madhe të bursës për shkak të pandemisë globale. Senatorja e Xhorxhias, Kelly Loeffler, një senatore e re që shpreson për t’u rizgjedhur këtë vit, shiti aksione me vlerë qindra mijëra dollarë në fund të janarit, pasi senatorët filluan të marrin informacione mbi virusin, gjithashtu sipas të dhënave të Senatit.

Në javët që pasuan, Loeffler u kërkoi zgjedhësve të saj që të kishin besim në përpjekjet e administratës Trump për të përgatitur vendin për pandeminë.

“Presidenti Trump dhe administrata e tij po bëjnë një punë të shkëlqyer për t’i mbajtur amerikanët të shëndetshëm dhe të sigurt,” tha senatorja Loeffler më 27 shkurt. Daily Beast raportoi se Loeffler i shiti aksionet në fund të janarit.

Senatorja është e martuar me Jeffrey Sprecher, kryetarin dhe drejtorin ekzekutiv të Intercontinental Exchange, kompania që ka në pronësi Bursën e Nju Jorkut./voa

-----