Ballina Lajme nacionale Kërkesat për vizita nga Serbia do të trajtohen sipas situatës që po...

Kërkesat për vizita nga Serbia do të trajtohen sipas situatës që po kalojmë

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se kërkesat për vizita nga zyrtarë serbë do të trajtohen sipas ndjeshmërisë së situatës aktuale nëpër të cilën po kalon vendi. Këtë Hoti e theksoi pasi në adresë të tij ka arritur letra e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili i ka kërkuar Kosovës të respektojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel lidhur me vizitat e zyrtarëve serb në Kosovë, pasi presidentit serb i është refuzuar leja për të vizituar Kosovën.

----

Hoti tha se ka pranuar letrën nga Miroslav Lajçak por sipas tij, kërkesat për vizita duhet të trajtohen në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalon Kosova.

“Marrëveshjet i respektojmë dhe jemi pro lëvizjes së lirë, nuk ka diskutim, ne po punojmë në proces të dialogut që të përmbyllim të gjitha çështjet e hapura që i kemi me Serbinë por nganjëherë disa çështje janë mjaftë të ndjeshme dhe në kontekst të ndjeshmërisë së situatave. Unë kam pranuar letrën nga zoti Lajçak do t’i përgjigjem dhe në fakt jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë duhet të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, tha Hoti.

Pas reagimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, se presidenti serb Aleksander Vuçiq nuk mund të hyjnë në Kosovë derisa të kërkojnë falje për gjenocidin ndaj popullit të Kosovës, kryeministri Hoti është pyetur se a është ky qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës, e që sipas Hotit, qëndrimet zyrtare i përfaqëson vetëm ai dhe askush tjetër.

“Qëndrimet zyrtare të Qeverisë i përfaqësoj unë, jo tjetër kush, sigurisht unë i koordinoj çështjet me ministrat përkatës, ministrat nganjëherë mund të kenë qëndrime te caktuara por ato në fund koordinohen me mua”, tha Hoti.

Lajçak në letrën e tij ka thënë se është shqetësuese ndalimi që i është bërë presidentit serb për të hyrë në Kosovë.

“Mosrespektimi i këtyre marrëveshjeve dërgon një sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e Dialogut. Për më tepër, shkelje të tilla dëmtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis palëve dhe përshkallëzimin e tensioneve në terren; kjo në veçanti ka ndikim në diskutimet e vazhdueshme mbi Marrëveshjen e ardhshme Gjithëpërfshirëse”, kishte shkruar ndër të tjera Lajçak.

Ditë më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë, të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe dy zyrtarëve të tjerë serb.

Siç ka deklaruar ajo, kërkesa e presidentit Vuçiq, ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe Petar Petkoviq, për të vizituar Kosovën, vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet pas luftës.

The post Kërkesat për vizita nga Serbia do të trajtohen sipas situatës që po kalojmë appeared first on RTV21.

----- ----