Ballina Arti Kejsi dhe Loreni/ “Dashuri në kohërat e Coronavirusit” – sipas Marquez

Kejsi dhe Loreni/ “Dashuri në kohërat e Coronavirusit” – sipas Marquez

20
SHPËRNDAJE

Kejsi dhe Loreni janë dy të rinj nga Tirana, që në 12 janar shkëmbyen unazat e fejesës. Ata thuajse prej dy a më shumë vitesh shiheshin çdo ditë. Kjo edhe për fatin se banonin jo vetëm në një lagje, por distanca e banesave të tyre është thjesht çështje hapash, aspak metrash, apo kilometrash.

Por, nga 12 marsi, Kejsi dhe Loreni shkëmbejnë shikime vetëm në ballkonet e shtëpive respektive. Të dy përshëndeten prej andej. Asnjë nuk del nga shtëpia, në zbatim të aktit normativ që Qeveria vendosi për izolimin në banesë.

Dhe janë pikërisht këta dy të rinj që të kujtojnë dashurinë në kohën e koronavirusit, ku takimet janë zëvendësuar me Whatsapp. Si Kejsi dhe Loreni janë edhe shumë të tjerë, që në distancë, apo frika e parhapjes, apo marrjes së Covid 19, i ka kthyer në dashuri të një forme krejt tjetër nga ajo klasike.

E kjo, jo pak të kujton kryeveprën e Gabriel Garcia Marquez. Shkrimtari i madh kolumbian ka shkruar romanin për dashurinë, për dashurinë me të gjitha fytyrat e saj: dashuri rinore, dashuri bashkëshortore, dashuri romantike, dashuri të mishit, dashuri, madje, edhe me shenjat e kolerës. Për më tepër, ai ka shkruar një vepër arti që rrezaton një humanizëm të atillë, që lexuesit do ta ruajnë thellë në zemër si diçka të shtrenjtë dhe do ta kujtojnë sa të kenë jetë në këtë botë.

E kjo ndodh në kohët e “mortjes” së shekullit të 21, katastrofës më të paparë që pas Luftës së Dytë Botërore. Fermina Dasa dhe Florentino Ariza janë dy personazhet që puqen dhe kanë një fund fatal. Në këto rreshta nuk po ka rëndësi përmbajtja e librit, por një pyetje lind natyrshshëm: A po kalon Kejsi dhe Loreni, një kohë si asaj të Marquez?!

Një fragment nga romani:

Po bëhej gati ta mbyllte, ashtu e këputur siç qe, kur pa Florentino Arizan të veshur si për ngushëllim në mes të sallës së shkretë. U gëzua, sepse kishte shume vite që e kishte fshirë nga defteri i jetës së saj dhe kjo që e shikonte me ndërgjegjen e pastruar nga harresa. Mirëpo, përpara se ta falenderonte për vizitën, ai e vuri cilindrin pranë zemrës dhe me duar të dridhura, por dinjitoz, e plasi lungën që kishte qenë ushqimi i jetës së tij.

-Fermina, – i tha. – Kam gjysmë shekulli që e kam pritur këtë ditë, për t’u betuar edhe një herë për besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë në jetë të jetëve. Ferminas do t’i qe dukur me siguri i shkalluar, sikur të mos kishte pasur arsye për të menduar se në këtë cast, atë po e frymëzonte vetë Shpirti i Shenjtë. Në çastin e parë, deshi ta mallkonte për përdhosjen që po i bënte shtëpisë, në një kohë kur kufoma e burrit të saj qe akoma e ngrohtë në varr. Por dinjiteti i zemëratës e frenoi në kohë.

…Vetëm një herë ajo i ra mendjes se kishte fjetur shumë pa vdekur, duke dënesur në gjumë dhe, ndërsa flinte duke dënesur, kishte menduar më tepër për Florentino Arizën sesa për të shoqin e vdekur…!

Kjo kohë e Covid-19, do të jetë e vështirë të kuptohet, kur brezave t’u tregohet se dikur në të gjithë botën një armik i padukshëm bëri hatanë në të gjithë botën.

Vështirë se do ta kuptojnë, ashtu si sot që nuk mund të perceptohet malarja e dikurshme, luftrat me armë e tanke…!

-----